Çitaku, Kurtit: E di që po të mungon Thaçi, por duro edhe pak – dielli do të lindë përsëri

E publikuar: 19/04/2024 12:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, i ka reaguar kryeministrit të vendit, Albin Kurti, i cili sot përmendi 11 vjetorin e marrëveshjes së Asociacionit të nënshkruar nga ish-kryeministrat e atëhershëm, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq.

Çitaku tha se Kurti iu kthye përsëri marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015, ato që sipas saj, numri dy i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konufca, ka thënë se janë të mira dhe të dëshiruara.

“Gjithsesi, në interes të tij dhe për pak oksigjen ditor politik, ai qenka mundu me u marrë prapë me Presidentin Thaçi, ani pse ai po bën tri vjet e gjysmë i mbyllur në Hagë – në mbrojtje të luftës së shenjtë të popullit tonë për liri”.

“Është e pabesueshme se si një gjë Kryeministri Kurti nuk e ka kuptuar ende. Që Hashim Thaçi, edhe kundër vullnetit të tij, do të mbahet mend si Kryeministri i Pavarësisë së Kosovës”, shkroi Çitaku, transmeton Klankosova.tv.

Ajo më tej tha se Kurti si kryeministri i dytë më jetëgjatë në vend, do të mbahet në mend vetëm si kryeministri  i autonomisë politike për serbët e pjesës veriore të Kosovës.

“Marrëveshja bazike të cilën ai e ka pranuar vitin e kaluar në Bruksel, i ka humbur njohjen e ndërsjellë Kosovës dhe i ka sjellë një sërë pasojash afatgjate dhe të patjetërsueshme vendit – që tkurrin sovranitetin e shtetit tonë. Ndërkaq, për këtë pjesën tjetër të qeverisjes, s’kemi çfarë të themi”, shkroi më tej Çitaku.

Tutje, Çitaku tha se trashëgimia e vetme që do t’i mbetet në CV Kurtit do të jetë ura tri metra e Saradranit, teksa tha se Thaçi ka ndërtuar autostrada moderne, shkolla, i ka rritur pagat, ka ndërtuar institucione dhe e ka vënë në binar funksionimin e shtetit.

“Kaq, rreth krahasimit tënd kaq të dëshiruar me Presidentin Thaçi, Kryeministër. E di që po të mungon, meqë po vazhdon ta përmendësh çdo ditë, por duro edhe pak. Dielli do të lind përsëri”, tha ajo.