Osmani kujton masakrën e Kralanit dhe asaj të Qupevës së Epërme, kërkon që autorët e krimit të sillen para drejtësisë

E publikuar: 04/04/2024 18:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kujtoi 25-vjetorin e Masakrës së Kralanit dhe asaj të Qupevës së Epërme.

Për këto masakra, Osmani thotë se janë dëshmi e përpjekjes së regjimit kriminal serb për shfarosje dhe spastrim etnik ndaj shqiptarëve.

“25-vjet më parë, forca të regjimit gjenocidal të Serbisë, në Kralan të Gjakovës, pasi që i rrëmbyen nga kolona e të zhvendosurve, vranë dhe dogjën 87 civilë nga komunat: Klinë, Malishevë dhe Gjakovë, në mesin e të cilëve pleq, gra, burra e fëmijë”, shkroi Osmani në Facebook.

“Egërsinë e vet, regjimi kriminal e vazhdoi edhe në fshatrat Qupevë e Epërme dhe e Poshtme, Gllarevë, Përçevë, Sverkë, Gremnik, ku vrau mizorisht 45 civil shqiptarë”.

“Këto masakra janë dëshmi e përpjekjes së regjimit kriminal serb për shfarosje dhe spastrim etnik ndaj shqiptarëve”.

Më tutje e para e vendit thotë se sjellja para drejtësisë e autorëve të krimit është e nevojshme për paqen e qëndrueshme dhe për mbrojtjen e të vërtetës.

“Sjellja para drejtësisë e autorëve të krimit është e nevojshme për paqen e qëndrueshme dhe për mbrojtjen e të vërtetës. Qoftë i përhershëm kujtimi për të gjithë të rënët për liri!”.