Lidhja e Bizneseve të Kosovës kundër vendimit që bizneset të mos punojnë të dielën

E publikuar: 03/03/2024 20:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lidhja e Bizneseve të Kosovës shpreh shqetësimin e saj lidhur me vendimet e disa komunave të Kosovës për ndalimin e punës së bizneseve ditën e diel. Sipas tyre kjo gjë do të kufizojë aktivitetet ekonomike, e rrjedhimisht do të ndikojë edhe në ngadalësimin e rritjes ekonomike në përgjithësi.

Kryetari i Lidhjes së Bizneseve, Besart Dreshaj, thotë se kufizimet e punës në ditën e diel do të kenë ndikim negativ në performancën ekonomike, duke kufizuar të ardhurat potenciale të biznesit dhe mund të sjellë përkeqësim të situatës për punonjësit e tyre.

“Në një shoqëri ku sektori privat luajnë një rol kyç në zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës, është e rëndësishme që politikat qeverisëse të mbështesin dhe në vend që politikat e institucioneve qeverisëse të nivelit qendror dhe komunal duhet të përkrahin dhe inkurajojnë investimet e ndërmarrjeve private, ashtu që ato të mund të luajnë rolin e tyre të duhur në përmirësimin e situatës socio-ekonomike”, thotë ai.

Dreshaj thekson se sipas dispozitave kushtetuese, ekonomia e tregut me konkurrencë të lirë është bazë e rregullimit ekonomik të Kosovës. “Në këtë aspekt, iniciativat dhe vendimet e Qeverisë dhe komunave duhet të jenë në përputhje me dispozitat e sipërcekura dhe assesi nuk duhet të jenë pengesë për fuqizimin e sektorit privat”.

“Duke u ndërlidhur me arsyetimet e disa autoriteteve lokale, Lidhja e Bizneseve të Kosovës rikujton se marrëdhëniet ndërmjet punëdhënësve dhe punëmarrësve, përfshirë këtu edhe orarin e punës së të punësuarve, pushimin javor, punën pas orarit, gjatë ditëve të fundjavave dhe ditëve të festave zyrtare, janë të rregulluara me Ligjin e Punës, ndërsa autoritetet shtetërore duhet të sigurojnë zbatimin e drejtë të këtyre dispozitave përkatëse nga ana e punëdhënësve.

Në fund, Lidhja e Bizneseve thërret komunat që tashmë kanë marrë vendime të tilla të rishikojnë ato, si dhe të marrin në konsideratë edhe shqetësimet dhe rekomandimet e sektorit privat para marrjes së vendimeve të tilla që vënë kufizime në punën e këtyre të fundit.