
Escobar info
Zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, Gabriel Escobar, në intervistën e tij për Zërin e Amerikës ka dhënë disa kritika sa i përket Qeverisë së Kosovës rreth vendimit për punën e dinarit.
Në këtë intervistë mes tjerash, Escobar është pyetur edhe rreth asaj nëse ndanë të njëjtin mendim me Ndihmës Sekretarin e Shtetit, James O’Brien, i cili së fundi ka thënë se Serbia ka marrë dy hapa të rëndësishëm drejt njohjes së Kosovës, kur i ka pranuar targat dhe dokumentet.
“A po merr Serbia hapa të vegjël drejt normalizimit të raporteve me Kosovën dhe njohjes.” – është pyetur Escobar.
Emisari amerikan ka thënë se pajtohet me atë që ka thënë O’Brien, duke shtuar se tash SHBA-ja dëshiron njohje të përhershme dhe formale të Kosovës nga Serbia
“Po, pajtohem me Jim (O’Brien). Ai ka të drejtë. Tani ne duam që ajo të jetë e përhershme dhe formale.” – ka thënë Escobar.

















