Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me Kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, i shoqëruar edhe nga deputetë të Kuvendit, mori pjesë në vënien e gurthemelit të fabrikës së prodhimit të dyerve dhe dritareve në Verbicë të Kmetocit, të Komunës së Gjilanit, “EDI Fenster”.
Me këtë rast, kryeministri shprehu kënaqësinë e madhe që ishte aty bashkë me investitorin Arsim Hashanin, i cili po kthehet në vendlindjen e tij pas 22 vjetëve që të investojë në një fabrikë e cila do të bëjë prodhimet të dyerve, dritareve, e të roletave.
“Është shembull i një bashkatdhetari tonë i cili në moshën 14 vjeçare shkon në mërgim dhe pas 22 vjetëve kthehet në vendlindje me tre fëmijë dhe si investitor i cili do të ketë 50 fillimisht e më pastaj 150 punëtorë në këtë fabrikë”, u shpreh kryeministri.
Nga ana e kryeministrit nuk mungoi zotimi se kjo fabrikë do ta ketë mbështetjen e institucioneve sepse ekonomia e vendit sa ma shumë zhvillohet aq më i lartë është punësimi, eksporti, kontributi në buxhet dhe zvogëlimi i mbështetjes sociale që ka nevojë t’ia bëjë shteti qytetarëve të vetë.
“Prandaj investimet e këtilla na e rrisin shpresën dhe na e shtojnë zellin për punë të mbara e të mira edhe në të ardhmen andaj ju përgëzoj z. Arsim, përgëzime kryetar Alban, Arjeta, Atdhe dhe të gjithë juve”, tha kryeministri Kurti.
Fabrika, e ndarë në katër sektorë, do të bëjë prodhimin e dyerve, dritareve, roletave dhe përpunimin e materialit të xhamit. Investimet në këtë fabrikë, përfshirë logjistikën, parashihen të arrijnë vlerën deri në 10 milionë euro, kurse 95% e prodhimit planifikohet që të ketë për destinacion tregun e jashtëm.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Kënaqësi e madhe që jam këtu bashkë me investitorin Arsim Hashanin i cili po kthehet në vendlindjen e tij pas 22 vjetëve që të investojë në një fabrikë e cila do të bëjë prodhime të dyerve, dritareve, të roletave, shihni dhe emrin e ka “Edi Fenster”, do të punësojë fillimisht 50 punëtorë e më pastaj do të mund të shkojë deri në 150 punëtorë.
95% e prodhimit do të jenë për eksport, dhe siç na u shpjegua edhe nga arkitekti do të jenë kushtet e mira të punëtorëve për shkak se do të ketë edhe ndriçim zenital. Pra jo vetëm nga anash por edhe nga kulmi, nga sipër.
Është shembull i një bashkatdhetari tonë i cili në moshën 14 vjeçare shkon në mërgim dhe pas 22 vjetëve kthehet në vendlindje me tre fëmijë dhe si investitorë i cili do të ketë 50 fillimisht e më pastaj 150 punëtorë në këtë fabrikë për çfarë i dëshiroj shumë sukses dhe natyrisht që do ta ketë mbështetjen e institucioneve tona. Sepse ekonomia e vendit sa ma shumë zhvillohet aq më i lartë është punësimi, eksporti, kontributi në buxhet dhe zvogëlimi i mbështetjes sociale që ka nevojë t’ia bëjë shteti qytetarëve të vetë. Pra sa më shumë punësim, prandaj investimet e këtilla na e rrisin shpresën dhe na e shtojnë zellin për punë të mbara e të mira edhe në të ardhmen andaj ju përgëzoj z. Arsim, përgëzime kryetar Alban, Arjeta, Atdhe dhe të gjithë juve.