Ceremonia hapëse e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030, që do të zhvillohen në Kosovë, mund të jetë shumë më spektakolare se sa mund të imagjinohet.
Kjo pasi në këtë ceremoni mund të përformojnë dy yjet botërore të muzikës, Rita Ora dhe Dua Lipa.
Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi për media i Komitetit Olimpik të Kosovës, Kushtrim Krasniqi, në Konferencën ndërkombëtare “Kufijtë e Lirisë së Fjalës”.
Ai tha se në këto lojëra nuk do të ketë vetëm sport, por edhe kulturë dhe art dhe është duke u punuar që të sigurohet performanca e të dy yjeve në atë mbrëmje të madhe.
“Kur jemi tek investimet, dua të ndalem këtu. Qeveria, e cila ka qenë partner i fuqishëm këtu dhe pa mbështetjen e tyre do të ishte i pamundur të fitohet një organizim i tillë, ka premtuar dhe ka garantuar që do të investojë mbi 250 milionë euro në infrastrukturën sportive. Do të ndërtohet stadiumi nacional, i shumëpërfolur deri më tani, por që tani ka një garancion që duhet patjetër të ndërtohet të paktën deri në vitin 2029 sepse në atë stadium përveç që do të organizohen ndeshjet e futbollit, parashihet që të zhvillohet edhe ceremonia hapëse dhe mbyllëse e Lojërave Mesdhetare, e që pritet t’i ketë 30 mijë tifozë të pranishëm në ceremonisë hapëse. Pra, këtu nuk do të ketë vetëm sport, do të ketë edhe kulturë dhe art dhe njëra prej mundësive është që në ceremoninë hapëse të përformojë njëra ose dy yjet tanë të muzikës siç janë Rita Ora dhe Dua Lipa. Pra është edhe kjo mundësi që t’i kemi të pranishme që të joshim sa më shumë turistë në ceremoninë hapëse dhe jo vetëm”, tha Krasniqi, raporton KP.
Tutje, Krasniqi shtoi se Kosova e pati më të lehtë ta fitojë organizimin e kësaj ngjarje të madhe për shkak të rezultateve mbresëlënëse që kanë arritur në arenën ndërkombëtare vajzat e xhudos duke siguruar medalje të arta evropiane e botërore.