Rritje drastike e varfërisë në Luksemburg/ Dyfishohet numri i përfituesve të vakteve falas

E publikuar: 06/02/2024 00:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Numri i njerëzve në Luksemburg që përdorën ushqime falas ose lloje të tjera shërbimesh të ofruara nga shoqata “Stemm vun der Strooss” (Zëri i Rrugës) për banorët më të rrezikuar u rrit me më shumë se gjysmën vitin e kaluar.

Shoqata, e cila që nga viti 1996 ka ofruar ushqime të ngrohta, konsulta mjekësore falas, rroba, dushe dhe sende të tjera ndihme për të pastrehët, migrantët dhe të pambrojturit në Luksemburg, tha se më shumë se 11,000 njerëz kanë përdorur shërbimet e tyre vitin e kaluar. Kjo është një rritje prej 51.7 përqind krahasuar me vitin 2021 dhe tre herë më shumë se 2014, thanë ata.

Ata shtuan se numri i personave që vijnë për ushqim falas është rritur me 23.8 për qind krahasuar me vitin 2022.

“Është një rekord i trishtuar që nuk e kishim menduar kurrë se do të mund ta arrinim”, tha shoqata në një deklaratë, duke shtuar se inflacioni, luftërat dhe migrimi janë arsyet pse një numër në rritje njerëzish përfundojnë në “situata të pasigurta”.

Në atë shoqatë, ata deklarojnë se varfëria në Luksemburg ka “shpërthyer” dhe shtojnë se në nëntë vite numri i vakteve falas që ata kanë përgatitur është rritur për 191 për qind.

Ndër përdoruesit e shërbimeve të shoqatës Stemm vun der Strooss janë të pastrehët, emigrantët dhe kategoritë e tjera të banorëve më të rrezikuar, si dhe fëmijët dhe njerëzit që kanë një punë, por nuk fitojnë aq sa duhet për të përballuar jetesën.

Luksemburgu shënon një nga normat më të larta të të varfërve që punojnë në Evropë, shkruan Luxembourg Times. Sipas vlerësimeve të fundit, rreth 13.5 për qind e punëtorëve në Luksemburg janë në rrezik të varfërisë, ndërsa mesatarja në Eurozonë është 8.9 për qind./abcnews.al