Në emisionin EURO n’7 me Menduh Abazin, drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj është përballur me përfaqësues të bizneseve dhe profesionist të fushës.
Derisa në opinion shumë biznese ankohen se po iu bëhen shumë të padrejta nga ana e ATK-së, drejtori Murtezaj ka mohuar në tërësi duke thënë se janë sistem e brendshme elektronike të ATK të cilat vetvetiu alarmojnë se biznese të caktuara nuk janë në rregull.
Poashtu Murtezaj ka mohuar se kontrollat e ATK në biznese bëhen me porosi politike.
“Kjo absolutisht nuk ka ndodh asnjëherë më herët e as tash, unë jam drejtor në ATK që pesë vjet dhe kjo nuk ka ndodhur asnjëherë. Në mandatin tim as nuk ka pasur kërkesa nga politika e as që lejoj një qasje të tillë të politikës karshi ATK-së këtë e them me përgjegjësi të plotë.Unë edhe mund të mos jem drejtor por asnjëherë nuk do të pranoj e as lejoj qasje të tilla që politika ta drejtoi punën time dhe poashtu konfirmoj se as nuk ka pasur pretendime të tilla”, ka thënë Murtezaj.
Murtezaj ka shtuar se ka biznese të cilat edhe mund të ankohen për qasjen e ATK-së ndaj tyre por ankesa të tilla mund të kenë vetëm ato bizneset të cilat nuk kryjnë obligimet e tyre tatimore dhe në këto raste ATK është e obliguar që të ushtroj kontrolle.
“Nëse dikush është nxin duke fshehur të hyrat tatimore dhe është penalizu atëherë nuk është korrekte që të flitet se ATK na u ka gjujt në qaf, kur e dini se faji është i tyre jo i yni. E mira e sistemin tonë është që asnjë zyrtar i ATK nuk mund të vendos vet për një lënd të caktuar, t’i vendoset kapaku dhe të mos ketë mundësi që një trup tjetër ta rishqyrtoj. Pra nuk mund që dikush nga ATK të vendos për ndëshkime e që të mos ketë mundësi që ajo të kontestohet dhe të rishikohet nga një trup tjetër ankimore. I siguroj të gjithë se nuk ka asnjë mundësi që dikush të bëjë me gisht ndaj një biznese edhe ai biznes të ndëshkohet përvec nëse biznesi ka bërë shmangie tatimore”, ka shtuar kreu i ATK-së.
Ndryshe ATK gjatë vitit 2023 ka mbledhur në total rreth 843 milion euro të hyra dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Kosova është radhitur si vendi i parë në Ballkanin Perëndimor për mbledhjen e të hyrave./T7