Albin Kurti EU1
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vendimet e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) janë të pavarura dhe se ajo vetëm është duke e bërë punën e saj.
“Pra në katër komunat në veri janë katër degë të bankave dhe janë 15 institucione financiare jobankare ku do të mund të dërgohen dërgesat e pagesat dhe ku do të mund të merren të gjitha ato në euro. Euroja është valutë që na vjen nga BE-ja, ne nuk jemi duke i thënë askujt merre valutën lelë të Shqipërisë apo një valutë të re Dardan të Kosovës, por euron, euro si mjeti i vetëm i pagesës edhe i shitblerjes i përcaktuar në mënyrë të qartë në RKS nuk është një çështje e negociueshme”, ka theksuar Kurti.
Ai ka theksuar se rregulloret e BQK-së janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin.
“Vendimet e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) janë vendime të pavarura, sepse BQK-ja është institucione i pavarur, rregullat të cilat ata i sjellin, rregulloret të cilat ata i miratojnë janë krejtësisht në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, dhe unë besoj që duhet ta lëmë të qetë BQK-në dhe guvernatorin, Ahmet Ismaili, që ta bëjë punën e tija ashtu siç e ka fituar besimin në Kuvend”, është shprehur Kurti.
Sipas tij Ismaili po bën punë shumë të mirë dhe e ka shpjeguar saktë se nuk do të kemi probleme me dikë që mund të ketë ndonjë valutë të huaj, por se në Kosovë e vetmja valutë e shkëmbimit, e shitblerjes është euroja./Koha