Kujtojnë luftën që bënë bashkë para 16 viteve. Ishin pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që ishin rreshtuar ne Brigadën 133 “Ardian Krasniqi”, që operonte në Komunën e Istogut. Por, tashmë kanë mbetur jashtë listave te veteranëve. Naser Shatri, thotë se i din arsyet.
“Janë lënë anash, sepse përgjegjësit i kanë futur nëpër lista akrabanë”, thotë ai për Klan Kosova.
Madje, sipas tij, me veteranet po bëhet edhe politikë.
“Këta ushtarë janë kanë shpesh here afër vdekjes, dhe me mos futjen e tyre në lista po shihet qe shoqatat e veteranëve kanë ba dallavere dhe janë të kapun prej PDK-së”, shton Shatri.
Emrin në listë nuk e gjeti as Sali Rexha, i cili tregon se si i janë vrarë shokët.
“Kur u vra Izeti, janë kanë luftimet e ashpra. Është luftu deri në 20 metra”, thotë Sali Rexha, ish pjesëtar i UÇK-së.
I befasuar ka mbetur edhe Faton Kurtaj
“Kam pa në lista emra që s’jonë kanë në luftë kurrë, e unë jo. Nuk jam ndi mirë”, thotë ai.
Pa meritë po del se janë futur personat edhe tek lista e invalidëve.
“Fëmijë u kanë kur iu këput gishti, e sot merr pensionin invalidor”, thonë ata.
Për krejt këto pakënaqësi po akuzohet komandanti i kësaj brigade, Azem Veseli, por kontakti me të është i pamundur, sepse ai është në Burgun e Dubravës.
Ndërsa, zëvendësi i tij, Naim Xhura, përmes telefonit tha se është ne dijeni se janë bërë lëshime, duke premtuar se shumë shpejt do te bëhen përmirësimet e listave dhe se ata që janë futur gabimisht do të largohen e se do të futen ata që e meritojnë./tribuna/