Mourinho mund të marrë drejtimin e Barcelonës pas largimit të Xavit
Jose Mourinho mund të marrë drejtimin e Barcelonës, pas shkarkimit të tij nga Roma.
Derisa portugezi u shkarkua javë më parë nga klubi italian, Xavi para pak ditësh njoftoi se do të largohet nga Barça në fund të këtij sezoni.
Mourinho më pas u lidh shumë me një lëvizje te Napoli dhe raporte të shumta pretendonin se ai do të takohej me presidentin e këtij klubi, Aurelio De Laurentiis, i cili më vonë konfirmoi se 61-vjeçari “nuk ka të bëjë fare me Napolin”, duke shtuar se “fati i tij qëndron jashtë Italisë”.
Siç raportohet nga gazeta spanjolle “ABC”, “Special One” mund të përfundojë në stolin e Barcelonës në verë pas dorëheqjes së Xavit, me një faktor kyç që është agjenti i tij, Jorge Mendes, i cili gjithashtu përfaqëson drejtorin sportiv të klubit katalunas, Deco.
“Blaugranët” kanë nënshkruar me shumë klientë të Mendes në vitet e fundit, duke përfshirë Joao Cancelo dhe Joao Felix, dhe tani ndikimi i tij mund të bëjë që edhe ish-trajneri i Real Madridit të marrë drejtimin e Barcelonës.
Një faktor që mund ta shtyjë Mourinho të mos marrë drejtimin e Barcelonës mund të jetë historia e tij me “Los Blancos”, megjithëse vendimi i tij për t’u bashkuar me disa klube nga e njëjta ligë, tregojnë se nuk mund të jetë ndonjë telashe për Mourinhon.
Kujtojmë se Jose Mourinho nga viti 1996 deri më 2000 kishte punuar si ndihmës trajner te Barcelona.