Ministri i Jashtëm Maqedonas Nikolla Popovski, njofton se mbledhja e parë me qeverinë e Shqipërisë mund të bëhet gjatë muajit qershor. Ministri thekson se qeveria është në pritje të përgjigjes nga pala shqiptare për caktimin e datës së takimit, ku pritet të firmosen disa marrëveshje bashkëpunimi mes dy vendeve.
“Po punojmë intensivisht për mbajtjen e mbledhjes së përbashkët qeveritare. Ne para një viti kemi ngritur këtë iniciativë dhe gjatë vizitës time të fundit në Tiranë kam biseduar me homologun tim shqiptar që deri në muajin qershor të realizohet ky takim. Ne kemi propozime për disa marrëveshje që mund të arrihen me Shqipërinë, ndaj presim përgjigjen e tyre”, deklaroi Popovski.
Ndërkohë diplomati maqedonas ka pohuar se një bledhje e tillë përveç asaj me Shqipërinë mund të behët dhe me qeverinë e Kosovës.
“Ka disa marrëveshje që pritet të firmosen me Kosovën, siç është ajo për mbrojtjen e investimeve dhe për lëvizjen pa pasaporta. Po ashtu pritet të diskutojmë edhe për autostradën Shkup-Prishtinë dhe koston financiare të këtij projekti, si dhe për hapjen e vendkalimit kufitar Stançiç-Bellanoc”, tha Popovski. /albeu.com/