Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ka thënë se shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet ta refuzojnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Serbi.
Ai ka thënë se janë janë të papranueshme paralajmërimet e autoriteteve në Serbi për shërbimin e detyrueshëm ushtarak.
“Paralajmërimet për shërbim të detyrueshëm ushtarak në Serbi, edhe pse lëvizje strategjike marketingu nga Presidenti Aleksandar Vuçiq është i papranueshëm dhe duhet të refuzohet nga shqiptarët e Luginës së Preshevës.” – ka shkruar ai në Facebook.
Kamberi ka theksuar se Serbia nuk është e kërcënuar nga vendet fqinje duke shtuar se rasti i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit madje ka treguar për cenimin e integritetit të vendeve fqinje të Serbisë dhe se kush synon agresorin.
“Serbia, sot nuk është e kërcënuar nga asnjë prej vendeve fqinje, madje përkundrazi, rasti i 24 shtatorit vitit të kaluar në Banjskë ka treguar për cenimin e integritetit të vendeve fqinje dhe kush synon agresorin. Rajoni ka nevojë për paqe dhe progres, ndryshe vendimet e këtilla luftënxitëse vetëm sa na rikthejnë në vitet e 90-ta.” – ka vijuar ai.