160 mijë euro, drogë e armë të ftohta – një i arrestuar në Korçë

E publikuar: 13/01/2024 13:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një operacion policor është zhvilliar gjatë mbrëmjes së djeshme në Korçë, ku është arrestuar një 56-vjeçar dhe është proceduar penalisht një 20-vjeçar.

Burime kofidenciale bëjnë me dije se u arrestua shtetasi R.K 56-vjeç, në lokalin e tij në Boboshticë.

Mësohet se personit në fjalë i është gjetur drogë, si edhe armë të ftohta e municione luftarake.

Këto i janë kapur gjatë kontrollit në lokalin dhe banesën e tij. Ndërkohë bëhet me dije nga Policia se të arrestuarit i janë sekuestruar mbi 160 mijë euro.

Ndërsa 20-vjeçari i proceduar penalisht u kap duke blerë kokainë në lokalin e të arrestuarit.

Njoftimi i Policisë:

DVP Korçë/Megaoperacionet “Tempulli” dhe “Sundimi i ligjit”, goditje të vazhdueshme kundër krimeve, në çdo formë të shfaqjes së tyre.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Mix”, i organizuar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Korçë.

Kishte përshtatur lokalin për përdorim drogash të forta dhe për lojëra fati, dhe në banesë mbante drogë, municion luftarak dhe 160 000 euro nga krimet, vihet në pranga 56-vjeçari.

Sekuestrohen heroinë, 240 gramë kokainë, peshore elektronike, armë e ftohtë, municion luftarak, 160 000 euro, laptop, çipsa, celular dhe automjet.

Procedohet penalisht një 20-vjeçar që u kap duke blerë kokainë në lokalin e të arrestuarit.

Si rezultat i angazhimit maksimal të shërbimeve të Policisë së Korçës, në kuadër të megaoperacioneve kombëtare “Tempulli” dhe “Sundimi i ligjit”, si dhe i punës së pandërprerë të inteligjencës policore, kësaj here për një lokal në fshatin Boboshticë, ku kryheshin disa krime, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Mix”.

Gjatë operacionit u kap dhe u vu në pranga pronari i këtij lokali, shtetasi R. K., 56 vjeç, banues në fshatin Boboshticë.

Nga kontrollet në lokal, u konstatua se ky ambient ishte përshtatur për përdorim dhe shitje drogash të forta (heroinë dhe kokainë), në doza. Gjithashtu, se ishte përshtatur për organizim të kundërligjshëm të lojërave të fatit.

Në ambientet e lokalit u kap duke blerë doza kokaine, shtetasi M. N., 20 vjeç, banues në Korçë, ndaj të cilit filloi procedimi në gjendje të lirë.

Më tej, nga kontrollet në banesën e 56-vjeçarit dhe në atë të prindërve të tij, shërbimet gjetën sasi të tjera të lëndëve narkotike heroinë dhe kokainë, 2 krehëra armë zjarri dhe 160 000 euro të dyshuara me burim veprimtaritë kriminale.

Në përfundim të veprimeve procedurale u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: sasi lëndësh narkotike heroinë dhe kokainë, një peshore elektronike, municioni luftarak, 1 shkop bejsbolli, shuma e eurove, një laptop, valixhe me çipsa, si dhe automjeti dhe celulari i të arrestuarit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.