Komuna e Klinës nga 2013-ta pa zyrtar të Rinisë

E publikuar: 11/04/2015 10:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Drejtoria për Kulturë, Rini e Sport e Komunës së Klinës që nga viti 2013 nuk ka zyrtar të rinisë, ndërsa nga atëherë nuk është hapur asnjë konkurs për plotësimin e këtij vendi të punës.

Kristina Lazri që udhëheq këtë drejtori nuk e konsideron mungesë të madhe funksionimin pa zyrtar të rinisë.

“Drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport ka gjithsej 13 punëtorë, të cilët mbulojnë me sukses edhe aktivitete e rinisë pa përjashtuar bashkëpunimin e ngushtë të Drejtorisë me shoqëritë civile dhe organizatat rinore. Por kjo nuk do të thotë që nuk është e nevojshme të angazhohet zyrtari adekuat për rini,” thotë drejtoresha Lazri.

Zyrtari i tillë është përgjegjës për rini në secilën komunë, ndërsa ka për detyrë të ftojë organizatat rinore dhe të tjera për themelimin e Këshilit të Veprimit Rinor Lokal,transmeton KALLXO.com.

Drejtoresha Kristina Lazri thotë se ish-zyrtari i rinisë kishte hartuar planin e punës edhe për vitin e kaluar, ndërsa për vitin 2015-2016 një plan të tillë e ka përpiluar një organizatë joqeveritare e angazhuar nga Drejtoria për Rini e Komunës së Klinës.

“Nga fillimi i vitit 2015 Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport ka ndjerë nevojën e hartimit të planit të veprimit rinor për vitin 2015- 2016 edhe në mungesë të zyrtarit përkatës ka angazhuar një OJQ vendore dhe sipas ligjit të Ministrisë së Kulturës organizata në fjalë ( OJQ ‘Koha’ ) ka përgatitur PLVR-në i cili planifikim është votuar në Asamblenë Komunale,” sqaron Lazri.

PLVR-ja është shkurtesa për Planin Lokal të Veprimit Rinor.

Elbasan Racaj, përfaqësuesi i organizatës joqeveritare “Koha” që kreu punën e zyrtarit rinor për këtë vit dhe vitin e ardhshëm, mungesën e këtij zyrtari e konsideron hendikep për bashkëpunimin e drejtorisë me rininë e Klinës,transmeton KALLXO.com.

“Mendoj që mungesa e këtij zyrtari dhe mosfunksionimi i Këshillit të Veprimit Rinor Lokal është sidomos një hendikep për bashkëpunimin në mes të organizatave të shoqërisë civile ngase ky këshill do duhej të ishte një lloj kulmi për të gjitha organizatat e shoqërisë civile në Komunën e Klinës. Në mënyrë që nën atë kulm këto organizata të bashkëpunojnë në domenin e rinisë,” thotë Racaj.

Edhe koordinatorja e Qendrës Rinore “Ardhmëria” në Klinë, Vitore Zefi, tha se mungesa e zyrtarit të rinisë paraqet problem.

“Krejt kontaktet që duhet t’i bëjmë, duhet t’i bëjmë përmes Drejtorisë së Kulturës. Drejtoria e Kulturës është bajagi një sektor i gjanë edhe kështu që rinia dhe zani i rinisë gjithmonë mbetet mbrapa. Edhe kontaktet me grupet rinore ose këshillat rinorë që janë të formuar nëpër shkolla nuk e kanë një rrjet të mirë të bashkëpunimit për shkak të mungesës së zyrtarit të rinisë,” shpjegon koordinatorja Zefi.

Skënder Merturi asamblist i Lëvizjes “Vetëvendosje” thotë se mungesën e zyrtarit të rinisë e ka ngritur disa herë në Kuvendin Komunal.

“Po në interpelancën e fundit që e kena pasë me Drejtoreshën për Kulturë Rini dhe Sport ,me Kristinën, e kemi ngrit si çështje problematike, po arsyetimi i drejtoreshës është që nuk ka mundësi financiare të hapet edhe një vend i ri i punës edhe ky është arsyetimi që ata japin për zyrtarin për rini,” tregon Merturi.

Ndërsa drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Kristina Lazri, premton se shumë shpejt në koordinim me ligjin dhe Zyrën e Personelit do të hapet konkursi për t’u punësuar një zyrtar i rinisë në drejtorinë që ajo udhëheq.