Presidentja e nis fjalimin vjetor me sulmin në Banjskë dhe e përfundon me një mesazh nga Kuvendi

E publikuar: 15/12/2023 12:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidentja Vjosa Osmani e ka nisur fjalimin e saj vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës me sulmin terrorist që ndodhi në Banjskë, ku u vra heroi Afrim Bunjaku.

Osmani ka thënë se atë ditë, Kosova u përballë me situatën më të rrezikshme nga pavarësia e saj.

“Një vit i ballafaqimit me vështirësi në vecanti në fushën e sigurisë, meqë më 24 shtator Kosova u përballë me situatën më të rrezikshme që nga pavarësia e saj. Një grup terrorist paralamilitar i financuar, trajnuar dhe mbështetur nga Serbia, e mbi të gjitha I udhëruar nga lidershipi i këtij shteti kreu akt agresioni me planin e qartë që të aneksohet veriu i Kosovës dhe tyë shkaktohet destablizim jo vetëm i vendit tonë, por i të gjithë rajonit. Në këtë ditë Kosova u përballë me një agresor tinëzar në veprim, por të dukshëm në ambicie, me synimin e qartë të cënimit të themelit të shtetit tonë, Republikës, për të cilën ranë shumë dëshmorë ndër breza.” – ka deklaruar Osmani.

Tutje, Osmani ka thënë se Kosova do t`i mbrojë kufijtë e saj në çdo cep dhe me çdo kusht.

E para e shtetit të Kosovës tha se politika e sotme e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, është politika e djeshme e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq.

“Ky sulm, i cili është në vazhdën e ideve e planeve shoviniste e hegjemoniste të Serbisë, ekspozoi sërish fytyrën e vërtetë të fqinjit tonë verior, ëndërr e përhershme e të cilit mbetet realizimi i konceptit fashist të “Botës serbe”. Në këtë kohë kur është sfiduar drastikisht siguria në gjithë kontinentin tonë, plani famëkeq për destabilizim të Kosovës dhe rajonit mori përgjigjen e merituar.”

“Ata vranë një, por mobilizuan shumë djem e vajza nga radhët e Policisë, të cilët po atë ditë dhanë mesazh të qartë: Kosova nuk zmbrapset, Kosova nuk thyhet dhe Kosova do t`i mbrojë kufijtë e saj në çdo cep dhe me çdo kusht.”

Osmani gjithashtu ka theksuar se Kosova po e përbyllë një vit në të cilin padrejtësisht e në mënyrë të dhunshme u humbën shumë jetë grashë.

“Liridona Ademaj është emri që kumbon fort, si përkujtim i çdoditshëm i dhimbjes përvëluese që ngelet pas, kur padrejtësia zë vend fuqishëm. Kjo tashmë është plagë e rëndë e shoqërive anë e mbanë botës. Nëse deri tani i referoheshim si pandemi, e vërteta është që kjo tashmë është shndërruar në tragjedinë e ditëve tona.”

“Ta kemi të qartë njëherë e përgjithmonë, dhuna me bazë gjinore nuk është thjesht një “çështje e grave”, është test për njerëzimin e një krizë shoqërore që kërkon angazhimin tonë të palëkundur për ndryshim.”

Sipas saj, dhuna me bazë gjinore është një njollë e patolerueshme në ndërgjegjen e shoqërisë sonë.

“Duhet të fuqizohet çdo hallkë në institucionet e sigurisë e ato të drejtësisë në përballje me këtë fenomen. Në thelb, një sistem i fortë drejtësie nuk është thjesht një imperativ ligjor; është një gur themeli në përpjekjet tona më të gjera shoqërore për të çmontuar rrënjët e dhunës me bazë gjinore.”

“Duke i mbajtur autorët përgjegjës dhe duke siguruar drejtësi për të mbijetuarit, ne hedhim themelet për një të ardhme më të sigurt dhe më të barabartë për të gjithë”, ka theksuar Presidentja Osmani. Sipas saj, seksizmi është prezent pothuajse çdokund. E kam thënë, rithënë, e do e them sërish, Kosova nuk ka vajza e gra për të humbur.” – ka theksuar Osmani.

Tutje, Osmani ka folur edhe per Asociacionin ku ka bërë të ditur se tashmë Kosovës i është dorëzuar një propozim–draft statut për një asociacion të komunave me shumicë serbe, i hartuar nga partnerët.

“Përderisa vlerësimi i hartuesve është se një draft i tillë është në harmoni me kushtetutën, dua ta ritheksoj se institucioni që duhet ta bëjë këtë vlerësim, duke u udhëhequr nga parimi i pavarësisë e profesionalizmit, është Gjykata Kushtetuese.”

“Është me rëndësi që të gjithë ne, pa dallim partiak, të ulemi e bashkërisht t`i përgatisim komentet tona bazuar në shqetësimet që mund t’i kemi dhe t’i dërgojmë ato në Gjykatën Kushtetuese, kurdo që ky draft të dorëzohet në këtë institucion.”

Osmani tha se qëllimi i përbashkët duhet të jetë të sigurohet përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe të mos lejohet një pushtet të ndërmjetëm të qeverisjes apo anomali të tjera, të cilat rrezikojnë funksionimin e brendshëm të shtetit tonë.

Presidentja u shpreh se ka ftuar edhe liderët e partive opozitare, me qëllim që siç u shpreh ajo, të ndërtojmë qëndrim të unifikuar e në mbrojtje të funksionimit të republikës.

“Prandaj, në mënyrë që qëllimet tona të përbashkëta të përkthehen edhe në veprime të përbashkëta, përveç konsultimeve të vazhdueshme me kryeministrin dhe kryetarin e kuvendit, kam ftuar në takim edhe liderët e partive opozitare, me qëllim që për këtë temë sfiduese, të ndërtojmë qëndrim të unifikuar e në mbrojtje të funksionimit të republikës sonë”, u shpreh tutje Osmani.

Në mes të tjerash Osmani permendi edhe çështjen e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, të cilët po përballen me diskriminimin mbi baza etnike.

Ajo ka thënë se është angazhuar për lehtësimin e procedurave për marrjen e shtetësisë së Kosovës për banorët nga Presheva, Medvegja e Bujanoci.

“Kam kërkuar reagimin e bashkësisë ndërkombëtare kundrejt spastrimit etnik të kësaj pjese me shlyerjen e adresave të tyre me qëllim ndryshimin e demografisë. Shumë nga shqiptarët e këtyre komunave tani janë pa shtetësi e pa mundësi për të realizuar të drejtat e tyre themelore.”

“E kur jemi te shtetësia, ka qenë e pafalshme që për vite të tëra, procedurat për marrje të shtetësisë së Kosovës për shqiptarët nga Presheva, Medvegja e Bujanoci kanë qenë të njëjta me ato që vlejnë për qytetarë që vijnë nga kontinente të largëta. Prandaj, kam propozuar që në ligjin e ri për shtetësi, i cili është duke u përgatitur, të parashihen lehtësira në procedurat e marrjes së nënshtetësisë për bashkëkombasit tanë nga Lugina dhe shpresoj që ky propozim do të përkrahet nga ju sapo të vijë në Kuvend.”- ka theksuar Presidentja Osmani.

Ndërsa fjalimin e saj në Kuvend Osmani e përmbylli me sic ka thënë ajo, mesazhin e saj për dy dekada.

“Kosova për ne është më shumë se sa vetëm shtet, është ideali dhe sakrifica jonë e përhershme, është përcaktimi ynë jetësor për liri, pavarësi e demokraci. Prandaj jemi këtu për Kosovën sot, nesër e përjetë.”