Osmani: Ushtria e Kosovës është e gatshme t’i bashkohet ushtrive aleate të NATO’s
Presidentja Vjosa Osmani nga kazerma “Adem Jashari” në “Ditën e Forcës”, tha se FSK është e gatshme t’i bashkohet ushtrive aleate të NATO-s.
Presidentja tha se forcat e Kosovës janë të trajnuara me standardet më të larta të NATO-s dhe se i kontribuon paqes në rajon.
“Forcat e Sigurisë japin kontribut për paqe e siguri në rajon, por edhe përtej, duke shërbyer së bashku me forcat amerikane, britanike dhe ushtritë tjera aleate nëpër vende të ndryshme të botës në misione paqeruajtëse dhe kështu duke e dëshmuar se tashmë është e gatshme t’i bashkohet ushtrive tjera aleate në Aleancën më të fuqishme në historinë e njerëzimit, në NATO”.
Osmani tha se është derdhur shumë gjak që Kosova të ketë ushtrinë e saj, prandaj edhe ushtarët aktualë janë krenarë që mbajnë uniformën e FSK-së, për të cilën, sipas Osmanit, janë të gatshëm të japin edhe jetën nëse është e nevojshme.
“Sot dita e FSK-së dhe është ditë krenarie për secilin qytetar të Republikës së Kosovës. Është ditë kur ne me shumë krenari kujtojmë sakrificën jashtëzakonisht të madhe të popullit tonë, të Ushtrisë tonë Çlirimtare për të ardhur deri në këtë ditë. Është derdhur shumë gjak në mënyrë që Kosova ta ketë ushtrinë e saj, prandaj jam i bindur që secili ushtar dhe secila ushtare e mban këtë uniformë me shumë krenari dhe është i gatshëm të japë edhe jetën për atdheun, në qoftë se është nevoja”.
Si Komandante Supreme, Osmani tha se çdo kund dhe në çdo cep të botës shihet se sa me admirim vlerësohen sukseset e kësaj ushtrie, prandaj jam jashtëzakonisht krenare me të.
Ajo tha se bashkë me kryeministrin Kurti dhe krerët e FSK-së angazhohen për mirëqenien e ushtarëve, për trajnimet dhe shkollimet shtesë të tyre “që ushtria jonë të arrijë maja më të larta”.
Ndërsa, kryeministri i vendit Albin Kurti fillimisht ka uruar të gjithë qytetarët dhe pjesëmarrësit për “Ditën e Forcës”.
Për FSK’në, Kurti tha se është forcë e bashkimi dhe krenarisë tonë, teksa ka shtuar se FSK është trashëgimtare e UÇK’së.
“Është një ditë e gëzimit, kur në të njëjtën kohë i përkujtojmë të gjithë ata që sakrifikuar por edhe me optimizëm ecim drejt së ardhmes kur e dimë se sa të sigurt jemi ushtrinë tonë. Qeveria e Republikës së Kosovës në më pak se tri vjet ka bërë më shumë se dyfishim të buxhetit për Ministrinë e Mbrojtjes, ka bërë gati trefishim të investimeve në armatim dhe më shumë se katërfishim të trajnimeve dhe shkollimeve të oficerëve dhe ushtarëve tanë jashtë vendit. Konkretisht për më pak se 32 muaj, kemi dërguar 3459 ushtarë e oficerë jashtë vendit. Në të njëjtën kohë, e kemi të qartë se FSK është trashëgimtare e UÇK’së dhe nesër e kemi 28 nëntorin, që e shënojmë në kujtrime të trinisë – flamurin e kuq me shqiponjën dykrenare të Skënderbeut në Krujë, të Ismail Qemalit në Vlorë e të Adem Jasharit në Prekaz”, tha ai.
















