Që nga viti 2018 deri në vitin 2023, numri i fëmijëve të trajtuar në Klinikën e Neonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është zvogëluar. Edhe vdekshmëria është ulur.

Drejtoresha e Neonatologjisë në QKUK, Hajrije Ismaili, thotë se klinika që udhëheq, është qendër referente për të gjitha spitalet rajonale dhe ato private.
“Të gjitha ato foshnja, të cilat janë në gjendje kritike, trajtohen në Klinikën e Neonatologjisë. Nëse ndodh që përfundimi është me fatalitet, atëherë vdekshmëria ndodh pikërisht në kliniken tonë”, thotë Ismaili për Radion Evropa e Lirë.
Doktoresha Ismaili shpreh bindjen se në rënien e shkallës së vdekshmërisë, ndër vite, kanë ndikuar: trajtimi me medikamente gjithnjë e më të avancuara, përvoja profesionale dhe edukimi i vazhdueshëm i stafit në hap me zhvillimet e kohës.
Investimet në aparaturë moderne kanë ndikuar po ashtu.
Shifrat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregojnë se bota ka bërë përparim të rëndësishëm në mbijetesën e fëmijëve.
Në një raport që mbulon një periudhë 30-vjeçare thuhet se, globalisht, numri i vdekjeve neonatale ka rënë nga 5 milionë në vitin 1990, në 2.4 milionë në vitin 2020.
Rezultatin edhe OBSH-ja ua atribuon shërbimeve më cilësore për të porsalindurit.
Reparti i kujdesit intensiv në QKUK është i ndarë në disa njësi, që përfshijnë ato për fëmijët e lindur para kohe, për fëmijët e lindur me anomali, për fëmijët që vijnë nga spitalet rajonale dhe klinikat private, për rastet post-operative e të tjera.
Secilën prej tyre, stafi e ka nën mbikëqyrje të pandërprerë.
Në rast të ndonjë ndryshimi të papritur të gjendjes, lëshohen alarmet.
Stafi kujdeset që t’i informojë familjarët rregullisht për gjendjen e më të vegjëlve të tyre.
Ata nuk lejohen të futen brenda, përveç në rastet kur nënat duhet t’i ushqejnë foshnjat me qumësht gjiri.
Kriteret e higjienës janë të larta, për ta mbajtur repartin sa më pastër që është e mundur, në mënyrë që bebet të mos ekspozohen ndaj mikrobeve.
Në Raportin e sivjetmë të Progresit, që u shkrua nga Komisioni Evropian dhe u publikua javën e kaluar, thuhet se vdekshmëria e fëmijëve në Kosovë është problem serioz, pasi 16 prej 1.000 prej tyre vdesin para se t’i mbushin 5 vjet.
Kjo shifër, sipas raportit, është tri herë më e lartë se mesatarja e BE-së. Si shkaktare të vdekjeve përmenden sëmundjet jongjitëse.
Raporti veçoi edhe vdekjen e foshnjave, por nuk kishte të dhëna për periudhën nga viti 2019 e këndej.
Sipas raportit, cilësia e kujdesit shëndetësor në Kosovë, përgjithësisht, mbetet shqetësuese, ndërsa përgjegjshmëria institucionale e ofruesve të shëndetit publik, është e ulët.
REL ka raportuar disa herë për sfidat që hasen në disa klinika të QKUK-së, nisur nga mungesa e sapunëve dhe pritjet e gjata për shërbime e deri te kriza për gjak dhe largimi i mjekëve.
Në kujdesin intensiv të Neonatologjisë, nga personeli thonë se përpiqen të mbajnë çdo gjë nën kontroll.


















