
Albin Kurti VV-
Lëvizja Vetëvendosje sot ka mbajtur një mbledhje ku prezent ishte edhe kryetari i saj, kryeministri Albin Kurti.
Gjatë kësaj mbledhje, Kurti ka folur për Astrit Deharin, në 7 vjetorin e vdekjes së tij, për të cilin tha se u mbyt në burg ku po mbahej padrejtësisht.
“Sot është data 5 nëntor dhe në po vijmë këtu pasi ishim në homazhe për aktivistin tonë të paharruar, Astrit Deharin, i cili u mbyt ne burg, ku po mbahet padrejtësisht, për arsye politike 7 vjet më parë.”
Ai tha se drejtësia mund të vonojë, por do të vijë.
“Vrasja e qindra idealistëve në burgjet e Kosovës dhe jashtë saj, para luftës apo në fushëbeteja gjatë luftës solli rendin e tyre që e ka emrin liri. Ndërkaq, vrasja e Mon Balajt, Arben Xheladinit dhe Astrit Deharit pas luftës, i shton lirisë sonë edhe një rend edhe më të lartë, atë të demokracisë e drejtësisë. Kurrë nuk duhet harruar se pas sakrificën sublime përballë padrejtësisë, nuk vjen drejtësia. Fakti se Kosova ka djem e vajza aktiviste e aktivistë, shoqe e shokë të Astritit, na jep siguri se drejtësinë do ta kemi. Ajo mund të vonojë e mund të pengohet nga jashtë e nga brenda sistemit, por nuk do të harrojë e nuk do të harrohet. Astriti sot i mungon Lëvizjes si një aktivist i palodhshëm dhe i patrembur që ka qenë, por ai i mungon edhe Kosovës sepse sot do të ishte një mjek i ri shumë i përgatitur në spitalet tona dhe në politikëbërjen për shëndetësinë në Kosovë”, ka thënë ai.
Ai tha që Dehari ka qenë student i shkëlqyer i mjekësisë me rezultate shumë të larta.
“Astriti sot i mungon Lëvizjes, si aktivist i palodhshëm e i patrembur që ka qenë, por ai i mungon edhe Kosovës sepse sot do të ishte një mjek i ri shumë i përgatitur në spitalet tona e në politikëbërjen e shëndetësinë për Kosovën. Nëse e respektojmë Astritit, nuk mjaftojnë lulet, fjalët e bukura dhe as shkrimet për të, sidomos nga ju aktivistë të ri në Rininë për Vetëvendosje, sepse tani pritet nga ju të studioni mirë me rezultate sa më të larta dhe ta afroni punën tuaj vullnetare në të mirë të komunitetit dhe popullit tonë. Vetëm kështu jemi të gjithë Astrita”, tha ai. /GazetaExpress/



















