Ushtria izraelite konfirmon sulmin në kampin e refugjatëve

E publikuar: 31/10/2023 22:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëdhënësi i IDF-së Daniel Hagari ka konfirmuar se avionët luftarakë izraelitë kryen sulmin në kampin e refugjatëve Jabalia në Gaza, për të cilin ai shtoi se vrau komandantin e lartë të Hamasit Ibrahim Biari dhe shkaktoi shembjen e infrastrukturës nëntokësore të Hamasit.

“Sulmi vrau disa anëtarë të tjerë të Hamasit. Shënjestrimi i ndërtesës çoi në shembjen e ndërtesave të tjera”, deklaroi ai.

Hagari u shpreh se militantët e Hamasit vazhdojnë të përdorin popullatën civile si mburoja. Sipas tij këtë e bëjnë qëllimisht dhe në një mënyrë shumë mizore dhe brutale.

Ndër të tjera zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit përsëriti thirrjen e IDF-së që njerëzit në veri të Rripit të Gazës të shkojnë në jug. Deri më tani Izraeli e ka shpallur Gazën veriore zonë evakuimi, që pas nisjes së bombardimeve më 7 tetor./Top Channel