Hovenier: Në raport me Kosovën ShBA nuk është neutrale sikur BE-ja

E publikuar: 31/10/2023 21:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Hovenier

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka folur për rolin e SHBA-ve në dialogun Kosovë-Serbi, duke thënë se në fund të fundit, rezultati i këtij procesi është integrimi i Kosovës në strukturat evropiane dhe euroatlantike.

“Ai duhet të jetë një proces i udhëhequr nga BE-ja që siguron që të gjitha aranzhimet, reformat dhe proceset të jenë në përputhje me standardet evropiane. Fati juaj është si pjesë e Bashkimit Evropian dhe jo si shteti i 51-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prandaj, është e përshtatshme që Bashkimi Evropian të jetë kryesorja për këtë, me mbështetje jashtëzakonisht të fortë nga ne dhe kështu vazhdon të jetë.”, ka thënë ambasadori amerikan për Kanal 10.

Ai tutje u shpreh që nëse do të ishin si SHBA në rolin e lehtësuesit ose negociatorit, me siguri do të duhej të ishin neutral.

“Epo, ne nuk jemi neutral. Ne e morëm vendimin në vitin 2008. Ne e mbështesim Kosovën si një shtet të pavarur demokratik, sovran. Unë ndonjëherë e krahasoj si pjesë të këtij procesi me shikimin e një ndeshje futbolli, ku tashmë mund të dini rezultatin përfundimtar në tabelën e rezultateve, e dini si përfundon ndeshja, e di se çka do të ndodhë në fund.” – tha ambasadori.

Ambasadori Hovenier deklaroi po ashtu që si SHBA e nxisin fuqimisht këtë qeveri tani që të punojë me ta dhe Bashkimin Evropian për të zbatuar plotësisht detyrimet që i ka marrë sipas Marrëveshjes bazë, aneksit të zbatimit, ashtu siç ata flasin edhe me Serbinë për të avancuar këtë vizion.