Hodhën mbeturina n’rrugë – Komuna e Prishtinës ua nxjerr pamjet

E publikuar: 29/10/2023 09:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komuna e Prishtinës ka publikuar disa fotografi të qytetarëve duke hedhur beturina jashtë kontejnerëve.
Komuna njofton se do të gjobiten të gjithë ata që bëjnë një veprim të tillë.

“Hudhja e mbeturinave jashtë kontejnerëve, në trotuar a rrugë është e ndaluar me rregullore dhe ligj. Hudhja e mbeturinave në këtë mënyrë gjobitet, dhe Kryeqyteti si institucion, duke u bazuar në rregullore e ligje do të përdorë mundësinë e shqiptimit të gjobës sepse një veprim i tillë është i patolerueshëm. Ju lutemi shumë, të keni kujdes, mos hudhni mbeturina jashtë shportave e kontejnerëve! Vetëm duke bashkëpunuar, ne mund ta mbajnë pastër mjedisin ku jetojmë.”

Në postim thuhet se shumë shpejt do të vendosen kontejnerë të ri.

“Shumë shpejt do të vendosen kontejnerët e rinj nëpër lagjet e Kryeqytetit. Po punojmë vazhdimisht që të kemi sa më shumë shporta e kontejnerë për mbeturina, por na duhet patjetër edhe kujdesi juaj që të mos hedhni mbeturina aty ku nuk lejohet.”

Po ashtu, komuna ka thënë se nuk do të tolerohen makinat e parkuara në trotuare.

“Nuk do të tolerohen as makinat e parkuara në trotuare. Inspektorët tanë të palodhshëm bashkë me policinë vazhdimisht po punojnë që trotuaret të lirohen nga makinat, ndërsa punëtorët e Drejtorisë së shërbimeve publike do të vendosin pengesa për të mos lejuar parkimin e veturave në trotuare, sepse trotuaret janë për këmbësorë, jo për makina.”