Një draft-statut i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është prezantuar së fundmi nga “pesëshja” diplomatike e që gazetari Lirim Mehmetaj ka zbuluar detaje të këtij dokumenti.
Mehmetaj ka theksuar se ky dokument është një pjesë e diskutimeve aktuale rreth aspekteve të organizatës, financimit dhe ndërlidhjes së Asociacionit me Serbinë.
“Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë synon të koordinojë zhvillimin ekonomik, arsimin, shëndetësinë primare dhe sekondare, si dhe planifikimin urban dhe rural. Struktura e organizatës përfshin një asamble, presidentin, zëvendëspresidentin, bordin, këshillin e administratës dhe zyrën për ankesa dhe apel të Asociacionit”, ka deklaruar ai.
Në thelb, draft-statuti sipas tij, paraqet disa sfida potenciale, si lidhjen e Asociacionit me Serbinë.
Siç ka thënë Mehmetaj ky draft-statut i jep Serbisë të drejtën ekskluzive të financimit të sektorëve të rëndësishëm si arsimi dhe shëndetësia në komunat me shumicë serbe në Kosovë.
“Problematika kryesore e këtij Asociacionit ka të bëj ndërlidhja e asociacionit me Serbinë, sipas këtij statuti Serbia mban të drejtë ekskluzive edhet të financimit të dy sektorëve, arsimit dhe shëndetësisë. Madje aty thuhet se institucionet që janë të themeluara nga Serbia në edukim arsim dhe shëndetësi ato do të vazhdojnë të jenë pronë serbe e financiar nga Serbia kurse Kosova do t’i njeh ato sikur entitete të huaja private sikur një shkollë amerikane të vijë në Kosovë dhe të financohet nga Serbia”, ka thënë ai.
Po ashtu, sipas tij, institucionet e themeluara nga Serbia në këto sektorë do të vazhdojnë të jenë pronë serbe dhe do të financohen nga Serbia, ndërsa Kosova do t’i njohë ato si entitete të huaja private.
“Edhe ky statut do të dërgohet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, edhe aty mundet me nxjerrë pakënaqësitë e caktuara, dhe është e rëndësishme që ky draft-statut është statuti i propozuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me pak kozmetikë në raport me ato çfarë është biseduar”, ka deklaruar Gazetari Lirim Mehmetaj në Debat Plus.

















