Gazeta Express nga burimet e saj ka mësuar se Pesëshja e emisarëve nga BE, Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës është ndarë e kënaqur nga takimi me Kryeministrin Kurti.
Siç ka raportuar Gazeta të shtunën pesë emisarët kanë sjellë me vete një draft -statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Kjo është konfirmuar të martën nga zëdhënësi i BE në Bruksel Peter Stano i cili ka thënë se bëhet fjalë për një “propozim modern për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”. Tutje, mësohet se draftin tashmë e kanë në duar të dyja palët. BE i ka ftuar Kryeministrin Kurti dhe Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq për takim më 26 tetor në Bruksel, kur pritet të mbahet Samiti i BE. Pritjet, sipas burimeve, janë që të arrihet njëfarë dakordësie në Bruksel për Asociacionin. Express merr vesh se drafti i dorezuar nga Pesëshja është i ngjashëm diku rreth 70 përqind me propozimin e Institutit Friedrich-Ebert-Stiftung” dhe “Institutit Evropian për Paqe” në fillm të janarit të këtij viti.

















