Macron në Tel Aviv: Franca qëndron krah për krah me Izraelin

E publikuar: 24/10/2023 11:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron u zotua të martën se nuk do ta lërë Izraelin vetëm në luftën e tij kundër militantëve, por paralajmëroi për rreziqet e përshkallëzimit të luftës në konflikt rajonal.

Pasi u takua me familjet e viktimave franceze në aeroportin e Tel Avivit, Macroni tha gjatë një bisede me presidentin e Izraelit, Isaac Herzog në Jerusalem se Franca qëndron “krah për krah” me Izraelin dhe se synimi i parë duhet të jetë lirimi i pengjeve në Rripin e Gazës.

Ushtria e Izraelit, e cila është duke u përgatitur për një pushtim tokësor të Gazës së mbipopulluar me palestinezë, thotë se Hamasi po i mban 222 pengje.

“Ne duam që ju të jeni të sigurt se ne nuk do t’ju braktisim në këtë luftë kundër terrorizmit. Është detyra jonë të luftojmë kundër terrorizmit, pa asnjë huti dhe pa e zgjeruar këtë konflikt”, tha Macron gjatë vizitës së tij në Izrael të martën.

Përtej solidaritetit me Izraelin, Macroni erdhi me synim për të bërë “propozime që janë sa më të arritshme” për ta parandaluar përshkallëzimin e konfliktit, për t’i liruar pengjet dhe për ta garantuar sigurinë e Izraelit dhe punën drejt një zgjidhje dyshtetërore, thanë këshilltarët e tij.

Sipas tyre, gjatë vizitës së tij Macroni do të bëjë përpjekje për një armëpushim humanitar.

Vizita e Macronit në Izrael vjen një ditë pasi ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian nuk arritën të pajtohen për një “ndërprerje humanitare” të luftimeve mes Izraelit dhe grupit militant palestinez, Hamas, në mënyrë që të lejohet futja e më shumë ndihmave humanitare për civilët në Gazë.

Macroni do të takohet edhe me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu.

Zyra e Mohamoud Abbas tha se Macroni do të takohet edhe me liderin palestinez në Ramallah, Bregun e uzurpuar Perëndimor.

Macroni është lideri më i fundit evropian që e viziton Izraelin në ditët e fundit, pas presidentit amerikan Joe Biden dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz./REL