Dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi është arrestuar mbrëmjen e djeshme në ambientet e brendshme të aeroportit të Rinasit teksa po priste bashkëshorten e tij.
Në videon e siguruar nga Top Channel, shihet momentit kur Malltezit i janë vendosur prangat dhe shoqërohet nga tre efektivë policie.
Malltezi akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim të produkteve të veprës penale, ose veprimtari kriminale për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.
Sipas SPAK, Berisha ndaj të cilit është caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje”, cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, ka kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtëpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, Jamarbër Malltezi.
Gjithashtu, në njoftimin e SPAK thuhet se nga ana e Berishës, janë kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhërave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, po në favor të Malltezit.