Dhëndri i Sali Berishës, Jamarbër Malltezi, raportohet se është ndaluar në Rinas.
Mediat në Shqipëri raportojnë se arrestimi i dhëndrit të ish-kryeministrit Sali Berisha është bërë teksa ai kthehej nga një vend i BE-së.
Mësohet se urdhri për ndalimin e Malltezit është firmosur nga prokurori i posaçëm Arben Kraja.
Berisha ndërkohë, ka lajmëruar konferencë urgjente për shtyp.
Akuzat ndaj Malltezit
E vetmja dosje me të cilën lidhet emri i tij dhe për të cilën është kallëzuar në është ajo e privatizimit të ish klubit sportiv “Partizani”. Padia në SPAK për këtë dosje është çuar nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla në kohën kur ishte kreu i grupit të Partisë Socialiste.
Malltezi në atë kohë u thirr nga SPAK dhe u mor në pyetje për këtë çështje ndërsa duket se Prokuroria e Posaçme ka gjetur provat e mjaftueshme për të arrestuar dhëndrin e ish-kryeministrit, që rezulton të jetë një prej pronarëve kryesorë të pallateve që fshiu gjurmët e kompleksit Partizani.
Bëhet fjalë për një pronë me rreth 10.000 m2, në qendër të Tiranës që në vitin 2008 është privatizuar me një vlerë prej 100.000 dollarë, më pak se vlera e një garsoniere të shitur në atë zonë.
Klubi sportiv “Partizani” ishte kompleksi më i rëndësishëm sportiv në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes, jo shumë larg nga qendra e Tiranës, ku sot janë ngritur 17 kulla.