Stuhia “Babet” ka goditur rëndë Britania e Madhe dhe Europën Veriore, me erëra të forta e shira masive, që u kanë marrë jetën të paktën 3 personave.
Viktimat janë shënuar në Skoci, ndërsa ekipet e emergjencës kanë punuar për shpëtimin e familjeve të bllokuara në zona të ndryshme. Situata ka detyruar anulimin e fluturimeve dhe trageteve në Skandinavi.
Në aeroportin e Leeds Bradford në Anglinë veriore, një avion pasagjerësh doli nga pista teksa u përpoq të ulej nga erërat e forta, fatmirësisht pa të lënduar.
Zyra Meteorologjike e Mbretërisë së Bashkuar lëshoi një paralajmërim të rrallë të kuq të motit të ashpër për pjesë të Skocisë lindore me reshje të jashtëzakonshme shiu që do të vijojnë.
Ndërkohë edhe Instituti Meteorologjik dhe Hidrologjik Suedez dhe agjencia meteorologjike e Danimarkës paralajmëruan për të njëjtën situatë në një nivel të lartë rreziku.
Qindra shtëpi janë përmbytur dhe niveli i ujit është rritur me kalimin e orëve. Skocezët u paralajmëruan për rrezikun, për këtë arsye duhet të tregojnë kujdes.
Zyrtarët në qarkun jugor irlandez të Cork ku qindra shtëpi dhe biznese u përmbytën, e konsideruan gjendjen më të keqen në të paktën 30 vjet./TopChanel