Reagon Gjykata Komerciale pas zhurmës së madhe për bllokimin e Rrugës A

E publikuar: 20/10/2023 22:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata Komerciale e Kosovës lëshon komunikatë për media pas reagimeve të shumta që janë nxitur nga vendimi për pezullim të punimeve në Rrugën A.

Në njoftim thuhet se “retorika e mediave, si dhe deklaratat e politikanëve, mund të kenë ndikim të madh në opinionin publik dhe besimin në institucionet gjyqësore. Andaj, është e rëndësishme që të ndërtohet një kulturë e respektimit të vendimeve gjyqësore dhe të kujdesemi për të mos paragjykuar ato … “.

Gjykata Komerciale thotë se palët kanë të drejtë ankese në instancat më të larta gjyqësore prandaj s’duhet paragjykuar çështja pa marrë epilog përfundimtar.

“Palët kanë të drejtën e tyre të shfrytëzimit të mjeteve juridike për vlerësimin e vendimit nga instancat më të larta gjyqësore, andaj nuk duhet të paragjykohet çështja pa marr epilog përfundimtar.”

“Gjykata Komerciale e Kosovës, shpreh shqetësimin e saj lidhur me deklarimet e zyrtarëve shtetëror, lidhur me rastin e marrjes së vendimit për caktimin e masës së sigurisë, përkatësisht shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të OshP-së në rastin “Rruga A”, e cila është në procedurë pranë Dhomës së Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale”.

“Përmbajtja dhe retorika e mediave, si dhe deklaratat e politikanëve, mund të kenë ndikim të madh në opinionin publik dhe besimin në institucionet gjyqësore. Andaj, është e rëndësishme që të ndërtohet një kulturë e respektimit të vendimeve gjyqësore dhe të kujdesemi për të mos paragjykuar ato, duke lënë gjyqtarët të punojnë në mënyrë të pavarur dhe të bazuar në ligj dhe fakte.” –  thuhet në reagim.