KFOR’i pritet të fuqizohet në Veri, por mbetet reaguesi i tretë

E publikuar: 03/10/2023 18:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gati 10 ditë më parë një Grup Terrorist me pjesëtarë serbë, i trajnuar dhe i mbështetur nga Serbia, hyri në territorin e Kosovës. Gjatë përballjes me ta, një polic mbeti i vrarë ndërsa u eliminuan tre sulmues. Pas ngjarjes, Serbia po angazhohet që KFOR’i të marrë primatin në Veri me arsyetimin se serbët mund të “bashkëjetojnë” me trupat e NATO’s por jo me Policinë Speciale të Kosovës. Presidenca dhe Qeveria e Kosovës në reagimet e tyre kanë përsëritur se “modeli” aktual është që Policia e Kosovës është reaguesi i parë, EULEX’i i dyti, ndërsa KFOR’i i treti. Të njëjtën e ka theksuar edhe Kryeministri Kurti. Ambasadori i Gjermanisë Jorn Rohde ka qenë i prerë duke thënë se Kosova është shtet sovran ndërsa Polica përgjegjëse për zbatim të ligjit atje. Për këtë Kosova ka marrë mbështetje edhe nga SHBA ditën kur u përballë me terroristët.

Qysh nga eskalimi i situatës në veri të Republikës së Kosovës kur u vendosen kryetarët e rinj me asistencë të Policisë së Kosovës, në diskursin publik është përmendur rreziku që KFOR-i ta marrë nën menaxhim atë pjesë të territorit të Republikës. Kjo çështje është rikthyer në vëmendje përsëri pas një deklarate të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili në prani të presidentes Vjosa Osmani kishte përmendur letërkëmbimin me ish-presidentin Hashim Thaçi dhe kishte shtuar se për çfarëdo vendosjes edhe të forcave speciale të Policisë së Kosovës në veri të vendit duhet marrë leje dhe njoftuar komandanti i KFOR-it.

Por ajo që ka ndodhur më 24 shtator në veri të vendit ka përmbysur të gjithë situatën. Një grup terrorist i përbërë prej më shumë se 30 personave dhe i drejtuar nga Milan Radojicic, të armatosur ishin vendosur në fshatin Banjskë të Zveçanit dhe në Manastirin e fshatit.

Derisa kishin vendosur disa kamionë si barrikada në rrugën që çon tek manastiri, grupi terrorist ishte hasur nga njësitet e policisë së Kosovës, të cilat kishin kërkuar më pas edhe përforcime. Gjatë shkëmbimit të zjarrit me grupin terrorist, ka mbetur i vdekur një pjesëtar i Policisë së Kosovës, ndërkohë që nga grupi terrorist janë vrarë tre persona dhe janë arrestuar disa të tjerë të cilët janë kapur me radiolidhje duke ndihmuar grupin kriminal.

Komuniteti ndërkombëtar, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar menjëherë ashpër duke dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës dhe vrasjen e policit Afrim Bunjaku.

BE-ja e ka cilësuar si sulm terrorist, ndërkohë që Gjermania e kishte nisur emisarin e saj, Manuel Sarrazin, menjëherë për në Kosovë.

Edhe Sarrazin gjatë konferencë për media kishte thënë se shteti i tij është në anën e Kosovës dhe se Gjermania e dënon ashpër një akt të tillë terrorist dhe kriminal.

Ka reaguar edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili e a cilësuar sulmin si një sulm të koordinuar të dhunës dhe ka kërkuar që të bëhen hetime dhe autorët të mbahen përgjegjës përmes një procesi transparent.

Blinken në këtë deklaratë gjithashtu ka theksuar se Policia e Kosovës ka përgjegjësinë e plotë për sundimin e ligjit në të gjithë Republikën e Kosovës. Ai ka thënë se SHBA-ja njeh dhe respekton rolin e Policisë së Kosovës si përgjegjësi i parë në situata emergjente të krizave.

Se Policia e Kosovës ka përgjegjësinë primare për menaxhimin e incidenteve në terren e kanë thënë në një komunikatë zyrtare edhe nga KFOR-i në ditën kur ka ndodhur sulmi terrorist në Banjskë.

“Policia e Kosovës, si përgjegjës i parë, ka përgjegjësinë parësore për menaxhimin e incidenteve në terren”, thuhej në reagimin e KFOR-it ku gjithashtu shprehej gatishmëria e tyre për të ndërhyrë nëse do të shfaqej nevoja.

Debat lidhur me këtë çështje ka nxitur edhe një deklaratë e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili pas ngjarjeve të 24 shtatorit ka kërkuar që KFOR-i të vendoset në veri të vendit. Rama kishte thënë se kjo ka qenë edhe kërkesë e presidentes Vjosa Osmani.

Lidhur me këtë deklaratë të tij kanë reaguar menjëherë nga presidenca, duke thënë se kanë kërkuar që KFOR-i t’i mbështesë institucionet e Kosovës për të siguruar veriun, po jo për të marrë përsipër sigurinë në Veri të vendit.

“Institucionet e Kosovës kanë kërkuar mbështetje nga NATO-ja, që patrullimet në zonën kufitare t’i përfshijnë edhe ushtarët e NATO-s, përkrah policëve të Kosovës në mënyrë që të parandalohet hyrja e grupeve terroriste dhe sulmet nga Serbia. Policia e Kosovës ka mandat të plotë në të gjithë territorin e Kosovës, ndërsa me NATO-n, ka bashkëveprim dhe koordinim të ngushtë, siç e dëshmon edhe reagimi e operacioni policor gjatë sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023. Pra, nuk bëhet fjalë për marrjen e kompetencave sovrane të institucioneve të sigurisë së Kosovës nga KFOR-i, por për mbështetjen e institucioneve të Kosovës në ndalimin e agresionit nga Serbia”, ka thënë Bekim Kupina nga Zyra për media e Presidencës.

Edhe ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea, ka thënë se s’është dakord që KFOR-i të marrë kontrollin e veriut të Kosovës. Sipas tij, veriu i Kosovës është i Kosovës.

“Jo unë nuk bie dakord me këtë gjë, unë mendoj se forcat e KFOR-it duhet të vazhdojnë me patrullimet dhe duhet të patrullojnë edhe më shumë. Megjithatë duhet të kemi parasysh se Veriu i Kosovës i takon Kosovës”, ka thënë ai.

“Vendosja e KFOR në kontrollin e sigurisë për mendimin tim, do të ishte një mesazh për Beogradin që veriu i Kosovës nuk është i Kosovës, por një zonë e administruar ndërkombëtarisht neutrale dhe mendoj se kjo më pas ka për të rritur presionin nga Serbia që të tërheqë atë pjesë edhe ta marrë. Policia e Kosovës, duhet të punojë së bashku me KFOR që situata të qetësohet gradualisht”, ka shtuar tutje Shea.

Në një intervistë për “Istraga” edhe kryeministri Albin Kurti ka folur për çështjen e vendosjes së KFOR-it në veri. Kurti ka thënë se ka nevojë për kontrolle të përbashkëta që përfshijnë KFOR-in dhe policinë e Kosovës përgjatë vijës kufitare. Ndëkrohë ka theksuar se protokolli e reagon qartë që kudo në Kosovë, Policia e Kosovës është reaguese e parë, që pasohet nga EULEX-i dhe më pas KFOR-i.

“Ne kemi nevojë për patrulla të përbashkëta që përfshijnë policinë tonë dhe KFOR-in përgjatë kufirit Kosovë-Serbi. Për sa i përket çështjeve të tjera, protokolli është vendosur tashmë. Kudo në Kosovë, policia jonë është reaguese e parë, e pasuar nga EULEX-i dhe më pas KFOR-i. Unë nuk besoj se ky protokoll duhet të ndryshohet”- ka thënë ndër të tjera Kurti për “Istraga.ba”.

Kurti gjithashtu e ka pranuar që është kërkuar ndihmë nga KFOR-i për ruajtjen e kufirit me Serbinë.

Edhe ish-ministri Hajredin Kuçi ka thënë se në rast se KFOR-i e merr veriun, një gjë e tillë do të nënkuptonte kthim të Kosovës para pavarësisë.

“E kundërta e asaj, KFOR-i nëse e merr veriun po e them juridikisht, ata duhet ta kenë një lidhje juridike civile. Dhe ajo lidhje juridike civile me rezolutën 1244 është UNMIK-u. Pra e kemi një ringjallje të kohës së para 17 shkurtit të 2008-ës. Kjo nuk guxon dhe nuk duhet të ndodh në asnjë rast”, ka thënë Kuçi.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se Gjermania nuk mendon që KFOR-I duhet të marrë nën kontroll veriun e Kosovës. Ai ka thënë se Berlini zyrtar e ka bërë të qartë në qëndrimet e dhëna se Kosova është shtet sovran dhe se Policia është institucion për zbatim të ligjit që përkrahet nga EULEX dhe KFOR-i.

“Mendoj se të gjitha deklaratat tona e kanë bërë të qartë këtë javë se Kosova është një vend sovran. Policia e Kosovës është institucion për zbatimin e ligjit në Kosovë e mbështetur nga KFOR-i dhe EULEX-i”, ka thënë ambasadori Rohde, në intervistë për emisionin Kallxo.

Që Policia e Republikës së Kosovës të kontrollojë gjithçka në veri të vendit duket se s’po i pëlqen Beogradit zyrtar. Presidenti i Serbisë, Aleksadner Vucic, duke propaganduar rrejshëm për “spastrim etnik” në takim me ambasadorët e QUINT-it ka kërkuar që me çështjet e sigurisë në veri të Republikës së Kosovës pas ngjarjeve të fundit të merret KFOR-i.

Edhe kreu i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, pas sulmit terrorist në Veri të Republikës së Kosovës, ka thënë se pse Policia e Kosovës nuk e ka lënë KFOR-in që të merret me situatën.

Serbia në vazhdimësi ka kërkuar që Kosova të mos patrullojë me njësi speciale të Policisë në pjesën veriore të vendit. Edhe aksionet e Policisë së Kosovës në atë pjesë të vendit me njësi special kanë hasur në kritikë ndërkombëtare.

Megjithatë pas asaj që ka ndodhur më 24 shtator, gazetari dhe analisti serb, Brasnislav Kërstiq, thotë se tashmë kryeministri Albin Kurti i ka dyert e hapura që në Veri të Republikës së Kosovës të vendos 5 mijë pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

“Z Kurti e ka përfituar atë që Policia e Kosovës që nëse do si shtet me i pru 5 mijë policë të shtetit, sepse rasti i 24 shtatorit konfirmon se është e drejtë”, ka thënë Kërstiq./Express