Kurti: Me fakte tregohet që institucionet e Serbisë ishin të përfshira në sulmin terrorist

E publikuar: 01/10/2023 17:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, e ka pritur në takim emisarin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor Manuel Sarrazin.

Temë kryesore e këtij takimi ishte situata e sigurisë në Kosovë, pas sulmit terrorist të 24 shtatorit ku u vra rreshteri i policisë Afrim Bunjaku.

“Dëshmitë e mbledhura përgjatë hetimeve të realizuara pas sulmit kriminal dhe terrorist, faktojnë e dëshmojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë të institucioneve shtetërore të Serbisë në këtë akt agresioni ndaj Republikës së Kosovës, për të cilin Serbia duhet të sanksionohet e ndëshkohet ndërkombëtarisht.” – tha Kurti.

“Pas dështimit të sulmit të armatosur me formacionet para-ushtarake të udhëhequra nga Milan Radoiçiq, marshimi dhe vendosja e trupave ushtarake serbe përgjatë kufirit me Kosovën ishte hapi i radhës i institucioneve të Serbisë, për të kërcënuar integritetin territorial të vendit tonë dhe mbështetur një agresion të mundshëm ushtarak kundër Republikës së Kosovës.”, theksoi ai.

“Në anën tjetër, Policia e Kosovës, përmes ushtrimit të kompetencave të saj kushtetuese e ligjore, mbetet e angazhuar dhe e përkushtuar në garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët në komunat në veri të vendit dhe bashkëpunimin me partnerët e aleatët tanë ndërkombëtarë.”

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, e ka falënderuar emisarin Manuel Sarrazin, për vizitën dhe angazhimin e tij intensiv.​