Presidentja Osmani për Reuters: Jemi nën sulm nga Serbia

E publikuar: 28/09/2023 16:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka akuzuar Serbinë dhe presidentin e saj Aleksandar Vuçiq se janë pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveqanit, të dielën e 24 shtatorit.

Sulmi më i madh që nga pas lufta e vitit 1999, ka ngjallur reagime të shumta tek komuniteti ndërkombëtar.

Kështu ka shkruar prestigjiozja Reuters.

Në një intervistë për Reuters, presidentja Osmani ka akuzuar presidenti serb se ndodhet pas sulmit terrorist, me qëllim që të arrijë krijimin e ‘Krimesë në Republikën e Kosovës’.

“Ajo që unë do t’i thosha presidentit Vuçiq është ndaloni ngatërresat me Kosovën. Kosova do ta mbrojë lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin e saj me çdo çmim”, tha Osmani.

“Ata po përpiqen të kryejnë një model të Krimesë në Republikën e Kosovës, por ne absolutisht nuk do ta lejojmë të ndodhë… [ne] do të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të Kosovës.”

Qeveria e Kosovës ka publikuar fakte që tregojnë se grupi ka qenë i trajnuar, i armatosur dhe ka marrë mbështetje të tjera nga qeveria e Beogradit dhe agjencitë e sigurisë.

Osmani tha se sulme të ngjashme mund të përsëriten edhe në një të ardhme të afërt dhe kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare që të bëjë gjithçka që Serbia të mos përkrahë grupe të tilla.

“Jam shumë e shqetësuar se sulme të tilla, qoftë edhe më të mëdha, mund të ndodhin në të ardhmen nëse Serbia nuk dënohet, para së gjithash për këtë akt terrorist agresioni”, tha ajo.

Kosova dhe Serbia kanë më shumë se një dekadë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve, në një proces ndërmjetësimi të udhëhequr nga Bashkimi Evropian. Në fillim të këtij viti ata ranë dakord për një marrëveshje të propozuar nga BE, por që atëherë ata nuk kanë qenë në gjendje të bien dakord se si ta zbatojnë atë.

Osmani tha se bisedimet mes të dyve nuk mund të vazhdojnë si më parë.

“Absolutisht nuk është më biznes si zakonisht. Ne kemi qenë viktima të një agresioni të Serbisë dhe të gjithë duhet ta trajtojnë atë si të tillë, edhe në qasjen e tyre ndaj Serbisë tani e tutje”, tha ajo.

Policia e Kosovës ka arritur vrasjen e tre terroristëve serbë, ndërsa ka arrestuar edhe tetë të tjerë si të dyshuar për përfshirjen në sulmin terrorist.

Përpos kësaj, Policia e Kosovës ka sekuestruar edhe armatim, që sipas llogaritjeve arrin vlerën e 5 milionë.