Tri partitë më të mëdha opozitare shprehen pro Rezolutës së propozuar për ta dënuar sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës, ditën e diel, në veri të vendit.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka dënuar sulmet e së dielës ndaj Policisë së Kosovës, nga një grup terrorist serbë në Banjskë të Zveçanit.
Duke folur nga foltorja e Kuvendit, Abdixhiku tha se në krye të grupit të terroristëve qëndronte Milan Radojçiq.
Ndër të tjera, kreu i LDK-së tha se sulmi i së dielës ka pasur për qëllim nxitjen e përplasjes së policisë me popullsinë civile. Ai lavdëroi edhe reagimin e institucioneve të sigurisë në aksionin e së dielës.
“Këtë të diele Republika e Kosovës u bë cak i një sulmi mirë të organizuar, mirë të paramenduar terroristë. Në krye të këtij organizimi qëndronte krimineli, tashmë i shndërruar në terroristë, Milan Radojçiq në mbështetje të tij, tashmë pas asnjë dyshim qëndronte Republika e Serbisë. Qëllimi ishte i qartë siç u kuptua nga sponsorizuarit e sulmit terroristë, krijimi i një realiteti të ri në veri dhe për krijimin e këtij realiteti të ri në veri, duheshin edhe viktima. Ato vinin në formë e pelegrinëve si vizitorë në Manastirin e Banjskës, si masë nxitëse e një përplasje në mes të Policisë së Kosovës me popullsinë civile në veri”.
“Këtë skenar që është e vërteta Kosova, dhe të gjitha shtetet e dala nga lufta pas shpërbërjes së Jugosllavisë e kishin të njohur tashmë. Kohët mund të kenë ndryshuar, por mjetet, forma dhe njerëzit jo aq. Si përgjigje ndaj këtij sulmi institucionet e tona të sigurisë e kishin dhënë përgjigjen më të mirë të mundshme. Në bashkëpunim me aleatë, me profesionalizëm më të lartë të mundshëm e me guxim patriotik të Republikës, e diela e nisur me tragjedi në mëngjes u shndërrua në një ditë të triumfit të së drejtës ndaj terrorit”.
Ndërsa, Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në Kuvendin e Kosovës ka thënë se si parti i ofrojnë mbështetje të plotë organeve të shtetit pas sulmit terrorist në veri.
Krasniqi u shpreh se shteti i Serbisë është fajtorë për sulmin në Banjskë dhe qëndron prapa sulmuesve të Policisë së Kosovës.
Tutje ai tha se bënë thirrje për hetim ndërkombëtarë për ngjarjet e së dielës, ndërsa Serbia t’i dorëzojë terroristët.
Tutje kreu i PDK-së ka thënë se tani nuk është koha për beteja të brendshme, por për unit të të gjithë spektrit politik.
Kurse, Kryetari i Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë që kjo parti e mbështet rezolutën e propozuar për ta dënuar sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës, të dielën, në Banjskë të Zvecanit.
“Ky sulm terrorist dhe terroristët që hynë në Kosovë e morën përgjigjen më të mirë që kishin mujtë me e marrë”, ka thënë Haradinaj në Kuvendin e Kosovës.
“Institucionet e sigurisë së Kosovës, policia e Kosoës, në koordinim me ndërkombëtarë, i mposhtën edhe e vërtetun që asnjëherë askush s’mundet dhe s’do të mundet me e rreziku Kosovën”.
“Një rezolutë që dënon sulmin terrorist dhe sponzorët e terrorizmit është e drejtë dhe parlamenti i Kosovës duhet ta aprovojë”.
“Në këtë rezolutë kërkoj që të përfshihet kërkesa për një hetim ndërkombëtar. Ky hetim ndërkombëtar do të ndihmonte jo vetëm zbardhjen e involvimit të Serbisë në këtë sulm terrorist ndaj Kosovës, por do të ndihmonte bashkësinë ndërkombëtare që të ndëshkojë pra sponzorët e terrorizmit dhe terroristët”.
“E vërtetë se kjo përballje, kjo fitore e ka edhe sakrificën e vet. Fitoret asnjëherë s’kanë ardhur pa sakrificë. Rreshteri i Kosovës, Afrim Bunjaku, është heroi më i ri i Kosovës. Heronj janë të gjithë policët, të gjithë ata që u përballën me terroristët”.