Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, vlerësoi që themelimi i Asociacionit, duhet t’i vihet si kusht Serbisë që pjesëtarët e grupit terrorist të cilët kanë ikur nga Manastiri i Banjskës, t’i dorëzohen institucioneve të Kosovës.
Madje sipas tij, një kërkesë të tillë duhet ta bëjë edhe Lista Serbe, shkruan teve1.info.
“Nuk jam kundër Asociacionit, por jam kundër derisa ata terrorista qëndrojnë të lirë në Serbi dhe nuk i dorëzohen institucioneve të Kosovës. Ky do duhej të ishte kushti. Tani, Lista Serbe duhet ta marrë guximin të kërkojë që terroristat t’i dorëzohen autoriteteve, pra duhet ta pastrojnë veten. Tani për tani, Lista Serbe është armiku më i madh i Republikës së Kosovës”, deklaroi Qalaj.
Kujtojmë që në një video të publikuar shihet se si terroristët serbë, largohen nga Manastiri pasi sulmuan me armë zjarri ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Bansjkë, duke lënë të vrarë rreshterin, Afrim Bunjaku.