Në Beograd paralajmërojnë rieskalim në veri pas takimit të pasuksesshëm, Kurti: Të tregohet kush do ta bëjë

E publikuar: 17/09/2023 13:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Kurti Vucic-Borell-Lajcak

Pas bisedimeve të pasuksesshme në Bruksel të enjten, është paralajmëruar mundësia që të ketë një eskalim tjetër në veri të vendit. Në Beograd tash thonë se “Albin Kurti është gati për çdo gjë”, ndërsa kryeministri i Kosovës theksoi atë ditë se “ata që thonë se mund të ketë eskalim, duhet të tregojnë se kush do ta bëjë eskalimin”.

Takimi i së enjtes në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë u shpall i dështuar, pasi palët dolën pa rezultat për një plan për zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Europian, Josep Borrell tha se Kurti s’ishte i gatshëm të ecte përpara, ndryshe nga Vuçiqi, për të cilin tha se “e ka pranuar propozimin” e BE-së për zbatimin. Ai përmendi rrezikun e rieskalimit të situatës në veri të vendit.

Kurti tha se po anashkalohej komplet esenca e marrëveshjes duke u vendosur Asociacioni si parakusht dhe në qendër.

Në Beograd kanë nisur menjëherë ta shfrytëzojnë këtë, duke thënë se tash “populli serb është i ekzpozuar ndaj presionit”.

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë dhe kryetari i Partisë Progresive Serbe, Millosh Vuçeviq, tha se pas dështimit të rundit të fundit të dialogut në Bruksel, sërish kemi “një situatë të tensionuar në terren”.

“Dy të rinj serbë janë rrahur në Graçanicë. Kurti është gati për çdo gjë. Shqiptarët vetëm do të provokojnë konflikt dhe qëllimi i Kurtit është ta pastrojë Kosovën nga serbët”, tha Vuçeviq.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha pas takimit me Vuçiqin se “deeskalimi ka ndodhur në Kosovë”.

“Ne duhet të kemi kujdes që të mos ketë rieskalim”, theksoi ai.

Duke iu referuar deklaratës së Borrellit se “nuk mund të rrimë dhe të presim për krizat e tjera”, Kurti tha se “ata që thonë se mund të ketë eskalim, duhet të tregojnë se kush do ta bëjë eskalimin”.

“Pra, nuk do të duhej asnjëherë të flasim në mënyrë anonime, impersonale, për eskalimin dhe shfaqjen e dhunës sepse dhunën e bëjnë subjektet e caktuara që duhet identifikuar dhe gjykuar e dënuar”, tha Kurti.