Krimi i organizuar bllokoi investimin amerikan në shëndetësi, 20 milion eurosh

E publikuar: 03/04/2015 19:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Krimi i organizuar në shëndetësinë kosovare po e bllokon një investim afro 20 milionë euro të fondit amerikan “Bedminister Capital”.

Tash e sa kohë, Qeveria e Kosovës e shantazhuar nga krimi i organizuar në shëndetësi nuk po ka guxim që t’ia jap dritën jeshile për nisjen e punës këtij spitali. Burime diplomatike të lajmi.net bëjnë të ditur se ambasada amerikane është tejet e shqetësuar nga paaftësia e Qeverisë për ta tejkaluar këtë problem, pjesë e rrjetit të të cilit, sipas këtij burimi diplomatik janë edhe dy deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Spitali Amerikan është një investim i fondit amerikan “Bedminster Capital”, fond ky ku pronari mazhoritar është OPIC – Agjencia qeveritare amerikane për investime të huaja. Gjithashtu, siç mëson lajmi.net, pjesë e këtij fondi është edhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Ndërsa, Bedminster vlerësohet se ka një portofol prej 300 milion USD në rajonin e Evropës Juglindore.

Një investim i njëjtë është edhe American Hospital në Tiranë, i cili ka nisur punën prej vitit 2005 me një investim rreth 50 milionë euro, në të cilin janë punësuar rreth 1000 persona dhe është lider në sektorin e shëndetësisë private në vend.

Ky grup i investitorëve është edhe pjesë e American Hospital Association, kurse sipas këtij burimi diplomatik të afërt me rastin, investimi fillestar i planifikuar në Kosovë arrin në mbi 16 milionë euro, me rreth 400 të punësuar.

“Pengesa vjen si interes nga disa mjekë të QKUK-së, që janë aktiv edhe në sindikatën e mjekëve. Ata po pengojnë për të ruajtur monopolet e tyre dhe penguar zhvillimin e shëndetësisë moderne në vend”, thotë ky burim diplomatik për lajmi.net.

Sipas tij, ruajtja e këtij monopoli i intereson edhe spitaleve private, të cilat mund të rrezikohen prej konkurrencës.

“Fjala është edhe për spitalet që kanë qenë të përfshira në skandalin e stendave”, tregon ai.

Nga ky burim diplomatik bëhet e ditur se pjesë e rrjetit që po e pengon realizimin e këtij investimi amerikan janë edhe disa prej spitaleve private në Maqedoni, që frekuentohen shumë shpesh prej qytetarëve me udhëzime të mjekëve në Kosovë.