Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, dhe ministri i Drejtësisë, Marko Kovaç, duke shikuar tunelin e ndërtuar fshehurazi që të çon në depon e Gjykatës së Lartë, 13 shtator 2023.
Policia malazeze është duke e ruajtur një banesë, nga bodrumi i së cilës është hapur një tunel nëntokësor i gjatë tridhjetë metra deri në depon e Gjykatës së Lartë në Podgoricë.
Ekspertët e mjekësisë ligjore po përpiqen të zbulojnë se kush ka qëndruar në banesë gjatë muajit gusht.
Policia nuk ka gjetur askënd në banesën që ndodhet në rrugën “Njegosheva” në qendër të Podgoricës dhe siç është konstatuar, banesa u është dhënë me qira personave që kanë përdorur dokumente të falsifikuara.
Ndërtesat më të rëndësishme të mbrojtura ndodhen në afërsi të banesës dhe godinës së Gjykatës së Lartë: Parlamenti, Qeveria, Gjykata Kushtetuese, Banka Qendrore.
Aktualisht, hetuesit nuk e dinë motivin dhe qëllimin e personave të panjohur që e kanë hapur tunelin për të paktën një muaj.
Sipas fotove të tunelit të publikuara nga Qeveria e Malit të Zi, kalimet janë të gjera dhe rreth një metër të larta, muret janë të veshura me dërrasa që duhej të parandalonin shembjen e dheut dhe gurit. Fundi i tunelit çonte në depon e bodrumit të Gjykatës së Lartë, muri i së cilës u ça në vendin ku ndodhen raftet me dosje.
Në depon e Gjykatës së Lartë, përveç dosjeve gjyqësore, mes së cilave ka prova për vepra të ndryshme penale, ka edhe rreth nëntë tonë e gjysmë lëndë narkotike të konfiskuara, nga të cilat rreth dy tonë janë kokainë dhe rreth shtatë tonë marihuanë.
Kryeministri Dritan Abazoviq, i shoqëruar nga ministri i Drejtësisë dhe ai i Brendshëm, Marko Kovac dhe Filip Axhiq, vizituan vendin dhe njoftuan se gërmimi i tunelit nuk mund të bëhej pa ndihmën e Gjykatës së Lartë.
“Krimi i organizuar funksionon duke pasur njerëz të përfshirë në të gjitha institucionet. Mendoj se kjo është një përpjekje për një veprim të koordinuar që u pengua”, tha kryeministri Abazoviq, i cili shtoi se janë regjistruar disa persona që mund të jenë të lidhur me këtë rast.
Motivet dhe qëllimet e gërmimit të tunelit nuk dihen. Sipas Abazoviqit, motivi i gërmimit të tunelit është përpjekja e kartelit të drogës për të kontaminuar provat kundër tyre në depo, për të cilat ai dyshon se kanë pasur ndihmë nga gjykata.
Pas zbulimit të tunelit, kryetari i Gjykatës së Lartë, Boris Saviq tha se “pothuajse asgjë nuk mungon”. Ai shprehu dyshimin e tij se qëllimi i autorëve ishin dëshmitë në depo, pasi për to tashmë janë bërë ekspertiza dhe në bazë të tyre tashmë janë nxjerrë aktakuza apo aktgjykime.Siç tha ai, “nuk do të kishte dëme të pariparueshme nëse do të vidheshin disa sende”.
“Ne kemi të drejtë të dyshojmë se personi që e ka punuar atë tunel, ka pasur plan për të shkuar në dhomën e mbajtjes (së të akuzuarit)”, tha gjyqtari Saviq.
Duke qenë se ajo dhomë ndodhet afër depos, ai përmendi edhe mundësinë që tuneli të jetë hapur në përgatitje të tentativës për arratisje nga një prej të pandehurve, duke theksuar se është herët të flitet për këtë.