Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se Kosova bëri një lëshim të madh në marrëveshjen e fundit me Serbinë, duke mos qenë njohja formale pjesë e saj.
Ai tha se Serbia ka pranuar që Kosovën ta trajtojë si anëtare të barabartë sovrane dhe se ia ka njohur integritetin territorial, por ai ka akuzuar Serbinë se po e shkel atë.
“Serbia është pajtuar me tekstin e Marrëveshjes dhe zbatimi i plotë i saj na çon në një situatë të re dhe më stabile se sa kemi tani. Me Marrëveshjen Bazike (27 shkurt) Serbia është pajtuar që ta trajtojë Kosovën si një anëtare të barabartë sovrane, ka njohur integritetin tonë territorial, ka rënë dakord të mbajë marrëdhënie normale si me të gjithë fqinjët e tjerë dhe të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Ne e kuptojmë se njohja formale nuk është aty dhe ky ishte një lëshim i madh i Kosovës. Është e rëndësishme që ne të ndërtojmë marrëdhënie të qëndrueshme si anëtarë të barabartë të bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë Bislimi për gazetën serbe “Danas”.
Bislimi tha se vendime të tilla madhore duhet të merren nga liderë të guximshëm dhe se shpreson që lidershipi i Serbisë do të gjejë forcë për ta zbatuar Marrëveshjen Bazike në plotëni.
“Kosova ka qenë e gatshme që në fillim dhe është ende, për të bërë pjesën e saj. Ne jemi të gatshëm të rishikojmë dhe përmirësojmë më tej strukturën institucionale për serbët e Kosovës brenda kornizës kushtetuese, por duhet të jetë e qartë se kjo është pjesë e juridiksionit të Kosovës, të cilën Serbia e njeh, e respekton dhe nuk kërkon ta minojë”.
Kryenegociatori i Kosovës u pyet edhe për atë se në cilin drejtim pritet të shkojë dialogu.
“Dialogu është shumëplanësh, por sipas mendimit tonë ai duhet të fokusohet në dy shtylla kryesore, konkretisht zbatimin e marrëveshjes bazë dhe bisedimet për normalizimin e plotë të marrëdhënieve. Kosova mbështeti marrëveshjen bazë dhe ofroi nënshkrimin e saj. Pala tjetër refuzoi nënshkrimin dhe po rikonfirmon çdo ditë qëndrimin se nuk e ka pranuar planin, por edhe po punon shumë për shkeljen e dispozitave të tij. Strategjia më e mirë për të penguar haptazi zbatimin e saj është përmes përshkallëzimit dhe Serbia është shumë e suksesshme në këtë. Serbia jo vetëm që e ka ridrejtuar dialogun e Brukselit nga normalizimi në menaxhimin e krizës, por ka arritur gjithashtu të promovojë BE-në nga një lehtësues në një negociator. Deklarata e BE-së e 3 qershorit, së bashku me masat e vendosura më pas e konfirmojnë këtë”, tha Bislimi./Express