Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pasi deputetja e PDK’së, Blerta Deliu-Kodra, e paditi për shpifje lidhur me deklaratën e saj se Deliu-Kodra ka marrë 2 mijë e 500 euro mëditje pa shkuar në Komision për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Haxhiu ka thënë se do do ta bëjnë publik raportin financiar “i cili dëshmon që e njëjta ndonëse nuk kishte qenë pjesëmarrëse në shumicën e mbledhjeve te Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, ishte paguar për këtë në mënyrë të paligjshme”.
Tutje, Haxhiu ka thënë se veprimi që do të duhej ta ndërmerrte Deliu-Kodra do të ishte kthimi i mjeteve, që sipas saj, deputetja e PDK’së i ka përfituar kundërligjshëm.
“Për çfarë më paska paditur deputetja Blerta Deliu Kodra? Për të vërtetën? Shumë mirë. Ne do ta bëjmë publik raportin financiar i cili dëshmon që e njëjta ndonëse nuk kishte qenë pjesëmarrëse në shumicën e mbledhjeve te Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, ishte paguar për këtë në mënyrë të paligjshme.
Para disa javëve, për këtë e kam njoftuar me shkrim Kryetarin e Komisionit për Legjislacion dhe po ashtu kam folur publikisht. Në fakt veprimi i duhur do të ishte kthimi i mjeteve që i ka përfituar paligjshëm”, ka shkruar Haxhiu.