Kuvendi i Kosovës do të mbajë të hënën seancë të jashtëzakonshme, në të cilën do të diskutohet për çështjen e sigurimit të librave për nxënësit. Në ftesën e siguruar ng “Betimi për Drejtësi”, ndër të tjera thuhet se pasojat e paaftësisë së Qeverisë, do t’i vuajnë 200 mijë nxënës.
“Pasojat e paaftësisë dhe dështimit të kësaj qeverie, po i vuajnë mbi 200 mijë nxënës, mijëra prindër e mësimdhënës. Gjendja është e jashtëzakonshme dhe kërkon veprime urgjente. Prandaj, ne, deputetët e opozitës – anëtarë tëKomisionit për Arsim, të mbështetur nga deputetët e tjerë, kemi iniciuar thirrjen e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit e cila do të mbahet të hënën, më 04 shtator” – thuhet aty.
Osmani e ‘pa kënaqur’ me vendimin e MAShT-it për librat: Ka pasur vështirësi, vitin e ardhshëm të bëhet më i mirë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka vlerësuar si të vështirë për familjes procesin e tashmë të bartjes së barrës për blerjen e librave nga vetë prindërit duke i rimbursuar nga shteti, teksa ka kërkuar që nga viti tjetër të ketë metoda shumë më efektive nga kjo e këtij viti.
Librat duhet të pajisen drejtpërdrejtë nga shteti, tha Osmani, ndryshe nga kjo siç ndodhi kësaj here, ku u krijuan edhe disa “hapa” deri te marrja e librave, nga vetë prindërit.
“Për shkak të vështirësive që kanë pasë familje të caktuara duhet të gjendet një mënyrë shumë më efektive që fëmijët kur të shkojnë në shkollë t’i kenë librat sikurse deri më tani me të cilat janë pajisur pra drejtpërdrejt nga shteti. Edhe tash janë pajisje nga shteti përveçse janë disa hapa deri te marrja e librave, por besoj që nga viti i ardhshëm është më mirë nëse shikohen metoda të reja shumë më efektive dhe më të lehta për familjet”, ka thënë Vjosa Osmani.
“Mund të përmirësohet”: Konjufca ‘pakëz’ më realist për komplikimin me librat për prindërit
“Ndoshta për ndonjë prind ka mundur të jetë e vështirë”, ka thënë Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, për çështjen e aplikimit individual të prindërve për subvencionim të librave, teksa pranoi edhe se “ka mundur të jetë i vonshëm” krejt procesi i cili pak para nisjes së vitit shkollor iu bart vetë prindërve për të blerë librat për fëmijët e vonshëm.
Këto komente ai i bëri për KosovaPress teksa po dërgonte njërën nga vajzat e tij në ditën e parë të nisjes së vitit shkollor.
“Mendoj që ka edhe dy ditë kohë, mendoj që javën e ardhshme gjithë do të jen të pajisur..Jo ma merr mendja që mund të rregullohet që fëmijët me fillimin e vitit t’i kenë tekstet, kësaj radhë ndodhi kështu, ma merr menja që mund të përmirësohet….Ka mundur të jetë i vonshëm….Ka qenë në formë të aplikacionit, nuk ka qenë e vështirë, ndoshta për ndonjë prind ka mundur të jetë e vështirë” tha Konjufca.
Krasniqi: Dështimi duhet të mbetet në ndërgjegjën e Qeverisë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi duke uruar nxënësit, mësuesit e prindërit për fillimin e vitit të ri shkollor, ka cilësuar se Qeveria ka dështuar për të siguruar librat për të gjithë nxënësit në kohën e mënyrën e duhur.
Përmes një shkrimi në Facebook, Krasniqi ka deklaruar se ky dështim duhet të mbetet në ndërgjegjën e Qeverisë.
“Si nxënës, shfrytëzojeni këtë mundësi për t’u thelluar në lëndët dhe temat që ndezin pasionin tuaj. Si mësues, udhëzoni dhe frymëzoni nxënësit tuaj me njohuritë dhe përkushtimin tuaj, duke bërë më shumë për të ofruar mbështetje aty ku është më e nevojshme. Dhe si prindër, vazhdoni të jeni shtylla mbështetëse për fëmijët tuaj, duke u rrënjosur besimin se asnjë pengesë nuk është e pakapërcyeshme.” – ka shkruar tutje ai.
Në fund, Krasniqi ka thënë se me përpjekjet e nxënësve, mësuesve e prindërve, mund të kapërcehen vështirësitë me të cilat po ballafaqohen.