Rama në Slloveni: S’besoj se në 2030-ën do jemi pjesë e BE, kemi dhe 20 vite “euro-optimizëm”

E publikuar: 28/08/2023 16:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri Edi Rama ka folur gjatë Forumit Strategjik të Bled në Slloveni. Në fjalën e tij Kryeministri theksoi se Bashkimi Evropian duhet të tregojë më shumë mbështetje për shtetet të cilat janë drejt rrugës për t’u anëtarësuar.

Për mbështetje, Rama theksoi se nuk e ka fjalën për atë financiare, por për aksesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët.

“Së pari dua të falenderoj Robertin dhe Charles sepse patëm një mikëpritje shumë të ngrohtë dhe me biseda të zemrës dhe jam shumë i lumtur që të shoh që një lider të flasë njëlloj si në darkë ashtu dhe në forum. Fantastike kjo gjë! Janë disa hapa progresivë, jo se besoj që ne në 2030 do të jemi pjesë e BE-së me thënë të drejtën, por teksa ne flasim për konvergjencën me BE-në të gjithë duhet ta kuptojmë që boshllëku i kontributeve për frymë i BE drejt këtij rajoni dhe shteteve të BP është diçka si 130 e ca Euro për 6 prej nesh këtu dhe më shumë se 4 mijë Euro për dy prej nesh këtu dhe të tjerë. Kjo disi duhet kuptuar dhe zgjidhur me hapa konkretë, duke konsideruar që kjo nuk duhet të jetë asgjë e të gjitha.

Të gjitha vendet që hyjnë në rrugën drejt BE-së, deri në momentin që bëhen anëtarë, duhet të jenë këto gjëra në mes të procesit, jo vetëm parimet, reforma dhe kritika që janë absolutisht të nevojshme, por edhe mbështetje sa më konsistente, nuk po them vetëm nga pikëpamja financiare, por edhe të hapësirave më të mëdha edhe për ndërmarrjet tona sepse ajo çfarë po ndodh gjithë këto vite në këto vende është se nga njëra anë nëpërmjet procesit të Berlinit ne folëm për projektet dhe se si t’i financonim dhe nga ana tjetër, merreni me mend kush po e ndërton infrastrukturën, amerikanët, arabët…Kjo duhet marrë parasysh!”, deklaroi Rama.

Duke iu drejtuar Presidentit të KE-së, Charles Michel, Rama shtoi se Shqipëria ka dhe 20 vite kohë për “Euro-optimizmin” dhe se shpreson që Charles Michel ta mbajë premtimin për zgjerim.

“Gjithmonë kam menduar që të punosh falas 50 vite përkundër Perëndimit, Enver Hoxha na bëri më pro-amerikanë dhe pro-europianë se kushdo tjetër, pra do na duhen dhe 50 vite të tjera pas rënies së komunizmit derisa ne të jemi plotësisht pro-amerikanë dhe pro-perëndimorë. Kemi dhe 20 vite euro-optimizëm dhe shpresoj deri atëherë ju ta keni përmbushur premtimin tuaj Charles!”, përfundoi Kryeministri.