Injorohet MD-ja, përmbaruesit nuk do t’i zhbllokojnë llogaritë e prindërve

E publikuar: 26/08/2023 20:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ani pse sigurimi i mjeteve për tekstet shkollore i takon Ministrisë së Arsimit e edhe procedurat se si do të shpërndahen paratë i ka marrë përsipër ky dikaster, prapë pak punë i doli edhe Ministrisë së Drejtësisë.

Shqetësimin e qytetarëve se paratë për librat s’do të mund t’i marrin prindërit që i kanë llogaritë bankare të bllokuara, ministrja Albulena Haxhiu tentoi ta shuaj me një udhëzues.

Në formë të një shkrese, ajo u kërkoi përmbaruesve që t’i zhbllokojnë përkohësisht llogaritë, deri sa prindërit t’i tërheqin mjetet për librat.

Por kjo nuk i ka pëlqyer Odës së Përmbaruesve.Kryetari i saj Arben Gashi i ka thënë televizionit Dukagjini se MD-ja po vepron kundërligjshëm dhe në formë populiste, duke konfirmuar se nuk mund ta pranojnë udhëzimin.

“Praktikisht janë mundu me na nxjerrë para aktit të kryer, kjo është e para. E dyta, ky udhëzues nuk ka bazë ligjore, pra fare nuk parashihet mundësia e tillë, pra është i kundërligjshëm. Qëllimi i vetëm i tij është me i marrë disa vota prej njerëzve, kurgjo tjetër, as nuk ka synim me i ndihmu kurgjo hiç. Përmbaruesit kanë me vepru sipas ligjit, dhe sipas ligjit janë të përcaktuara procedurat se kur bllokohen dhe kur zhbllokohen llogaritë. I lusim qytetarët të mos bien pre e dokumenteve të tilla politike”, ka thënë Gashi.

Edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi, vlerëson se kërkesa e MD-së nuk ka fuqi detyruese.

“Në rastin konkret, pa pasur një akt të tillë administrativ të Odës së Përmbaruesve Privat, nuk mund të lejohet qasja dhe shfrytëzimi i plotë nga ana përfituesve të subvencionimit të librave, të cilët kanë kufizime paraprake nga përmbaruesit. Pra, në rastin konkret, edhe pse nuk kemi informata të qarta sesi është destinuar pagesa nga ana e MASHT për nxënësit, në bazë të asaj që shihet në platformën E-Kosova, ku thuhet “Aplikim – tekste dhe materiale shkollore”, kjo mund të klasifikohet në kuadër të definimit që ligji e njeh si “të ardhura në bazë të ndihmës studentëve dhe nxënësve”, e që Ligji për Procedurën Përmbarimore e përcakton kufizimin e përmbarimit edhe për këto raste”.

Në udhëzuesin e MD-së thuhet se në asnjë rrethanë nuk ka tendencë për cenim të pavarësisë ligjore të përmbaruesve, veçse udhëzim të drejtë për situatën aktuale./dukagjini