Asociacioni i Komunave e dërgon në Kushtetuese Ligjin mbi Tatimin në Pronën e Paluajtshme

E publikuar: 23/08/2023 11:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka bërë të ditur se do ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese Ligjin mbi Tatimin në Pronën e Paluajtshme.

Sipas AKK-së, për këtë ligj që prek komunat, në asnjë fazë të miratimit nuk u konsultua Asociacioni i Komunave.

Sipas Asociacionit, ky projektligj dëmton buxhetin e komunave për miliona euro.

“Komunat e Republikës së Kosovës me miratimin e këtij ligji do humbasin me dhjetëra miliona euro dhe miratimi i këtij ligji pa konsulta paraprake me komunat e ka cenuar autonominë lokale financiare”, thuhet në reagim.

Po ashtu, në reagim thuhet se ky ligj afekton projektet kapitale dhe cenon rëndë përgjegjësitë komunale.

“Duhet theksuar që me këtë Ligj janë cenuar rëndë përgjegjësitë komunale dhe se ky ligj ka ndikim të drejpërdrejtë në zvogëlimin e të hyrave të komunës, afektim në projektet kapitale dhe debalancim mes projeksioneve investuese dhe të hyrave vetanake, si të hyrat kryesore të pushtetit lokal”, thuhet tutje në reagim.