A e ka ndryshuar Christopher Hill mendimin për Albin Kurtin

E publikuar: 22/08/2023 22:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Hill-Vucic-Kurti

Hill-Vucic-Kurti

Ambasadori i SHBA’së në Beograd në një intervistë për Zërin e Amerikës ka folur për dialogun Kosovë -Serbi duke thënë se në shtator do të bëhen përpjekje të reja për të zgjidhur problemet. I pyetur rreth Kryeministrit Kurti, nëse e ka ndryshuar pikëpamjen për të, Hill ka thënë se mendimi i tij për Kurtin është i njohur.

“Ajo që mund t’ju them është se ne jemi duke punuar ngushtë me Serbinë për zgjidhjen e problemit, mendojmë se ka kuptim për Serbinë dhe marrëdhëniet serbo-amerikane dhe do t’ua lë të tjerëve t’i përgjigjen kësaj pyetjeje. Mendimi im është i njohur” ka thënë ai.

Hill gjatë qershorit kishte nxitur reagime me një deklaratë për Kurtin duke thënë se “kemi disa probleme me Kurtin duke e vënë në pikëpyetje partneritetin amerikan me të.

“Mendoj se kemi një problem me zotin Kurti, ai nuk është i gatshëm ta pranojë. Më duket se kemi disa probleme shumë thelbësore me të, nëse ende mund ta konsiderojmë si partner. Por, këtë vendim ia lë ambasadës sonë në Prishtinë”, kishte thënë Hill më 8 qershor.

Pak ditë më vonë, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e kishte cilësuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti partner të SHBA-së, ani pse ka thënë se ai nganjëherë është ‘partner i vështirë”.