Ish-drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetërore, Shaban Halimi, ka thënë se në bazë të Ligjit për Rezervat Shtetërore, nuk parashihet forma e negocimit njëburimor.
Sipas Halimit, Ligji i Prokurimit thotë se të gjitha furnizimet kryhen përmes procedurave të hapura publike, dhe jo ashtu siç ka ndodhur së fundi.
“Tani, vendimi i kryeministrit dhe ministres për përjashtimin e rregullave të prokurimit, unë besoj që nuk është në rregull. Ndoshta për shkak të situatës dhe gjendjes që kemi kaluar, janë përshpejtuar, por kjo është gabim”.
“Përpilohen kriteret teknike, pas përpilimit të kritereve teknike shtypet vendimi për qeverinë për të furnizimin me artikuj dhe i dorëzohet Zyrës së Prokurimit. Zyra e Prokurimit zhvillon të gjitha procedurat të ofertuesve, shqyrton të gjitha kërkesat dhe ofertuesi që plotëson kriteret e dhëna nga Departamenti i Rezervave Shtetërore, ai zgjidhet për ta furnizuar shtetin me produktin e caktuar”, tha ai në “Info Magazine” në Klan Kosova..
Tutje, ai tha se një operator zgjidhet kur e ka çmimin më të lirë dhe dëshmon me analiza se malli është më i miri, dhe pas zgjedhjes, i jepet afati për furnizimin me mall për rezerva shtetërore.
“Dhe pastaj formohet komisioni, i cili formohet nga departamenti, por assesi persona të jashtëm dhe këta i verifikojnë të gjitha dokumentacionet, faturat, kontratën dhe elementet e tjera që janë specifikuar në kriteret teknike”.
“Dhe mbi bazën e saj, nëse komisioni konstaton se çdo gjë është në rregull, malli pranohet dhe shkarkohet. Pas shkarkimit të mallit, operatori e kryen obligimin e vet dhe atëherë fillojnë procedurat për mallin e pranuar”, tha Halimi.