Shtohen rastet me meningjit, MSh-ja bën thirrje për vigjilencë të shtuar

E publikuar: 16/08/2023 12:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Shëndetësisë ka bërë me dije se janë shtuar rastet me meningjit gjatë muajit korrik dhe gusht.

MSh me këtë rast ka kërkuar rritjen e vigjilencës sa i përket kontrollit të vazhdueshëm të ujit të pijes dhe klorizimit të tij, kontrollit të shtuar dhe klorizimit të ujit të pishinave.

“Meningjiti mund të prekë këdo që bie në kontakt me agjensin, por disa grupmosha janë më të rrezikuara. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, meningjiti prek më së shumti moshat e reja ngaqë sistemi imunitar tek personat e rinj, kryesisht foshnjat, femijet dhe adoleshentët nuk është zhvilluar mjaftueshëm për të luftuar agjensët”.

“Shkaktar i sindromës meningjeale janë infeksionet bakteriale ose virale. Ndërsa, si rrugë e përhapjes së infeksionit mund të jenë pishinat, vendet e freskimit, kontakti dhe uji për pije”, thuhet në një njoftimin e kësaj ministrie.

Më poshtë Ministria e Shëndetësisë ka përmendur edhe sipmptomat të cilat sjellin këtë sëmundje

 Simptomat

Disa nga simptomat e sëmundjes janë të ngjashme me ato të një gripi normal, por që rëndohen për një kohë shumë të shkurtër. Meningjiti mund të shfaqet menjëherë ose 3-7 ditë pas marrjes së infeksionit.

Tek simptomat e sëmundjes përfshihen: të vjella, marramendje, temperaturë e lartë e trupit, dhimbje e muskujve, ndjeshmëri ndaj dritës, dhimbje e kokës, konfuzion, gjymtyrë të ftohta, skuqje e lëkurës.

Ndërsa tek fëmijët mund të ketë edhe simptoma si frymëmarrja e shpejtuar, irritim dhe të qara për një kohë të gjatë, humbje të përqëndrimit dhe mungesë oreksi.

Sapo të vëreni simptomat e mësipërme apo gjendje të rënduar shëndetësore, duhet menjëherë të konsultoheni tek mjeku.

Meningjiti trajtohet vetëm në spital.