Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj, ka thënë se do të ndërmerren veprime procedural-ligjore ndaj logopedit që dyshohet se e keqtrajtoi një të mitur.
“Rastit të cilit i referoheni, ju njoftojmë se me urdhër të prokurorit i dyshuari gjendet nën masën e ndalimit prej 48 orësh, derisa ndaj të njëjtit do të ndërmerren veprime procedurale-ligjore. Ndaj kësaj çështjeje penale janë duke u ndërmarrë veprime hetimore në koordinim me Policinë”, ka thënë Ulaj për Express.
Për këtë rast, Policia ka raportuar përmes raportit 24 orësh, të dielën. Aty thuhet se rastin e ka denoncuar nëna e së miturës.
“LËNDIM I LEHTË TRUPOR/Podujevë 12.08.2023-11:30. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se ndaj vajzës së saj të mitur ishte ushtruar dhunë fizike (kapur për flokësh) nga logopedi, i dyshuari mashkull kosovar ku ishte duke u trajtuar viktima. I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është arrestuar dhe dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.
Ndërsa, babai i viktimës sot në një prononcim për Gazetën Insajderi ka treguar detajet e ngjarjes. Ai ka thënë se shenja dhunë në trupin e fëmijut të tij ishin vrejtur në fund të javës së kaluar.
“Nga data 30.6 e këtij viti e kemi çu në seancë të logopedi, ka pas tre herë në javë terminin ka 30 minuta. Në gjashtë ditët e para u shku mirë mo ka pritu, çdo herë gruaja e ka çu e ka marrë. Ajo më ka tregu se u hy tu kajt e u dal tu kajt. Ditën e enjte gruaja e ka hetu që nuk është në rregull, të premten e ka pa që i ka do shenja dhune po nuk na e ka kap truni që mundet me ndodhë kjo. Të shtunën kur ka hy brenda e ka gjet çikën tu u ngre përpjet se s’ka guxu as me kajt është vetëm 4 vjeçare. E ka gjet me gjakë në hund dhe flokët e shkulura. I ka thënë logopedit çka m’i ke bo vajzës ai i ka thënë kam ushtru presion ma shumë se që duhet”, ka thënë R.S.
Po ashtu R.S ka bërë të ditur se 4-vjeçarja është me aftësi të kufizuara. Ajo nuk dëgjon mirë dhe ka një implant koklear.
“Logopedi i ka pranu të gjitha përmes telefonit, nuk e di qysh bëhet ky llojë presioni. Unë e kam thirrë në telefon ai më ka thënë veç më fal e pyetja a ja bënë këtë gjë fëmiut tënd më tha jo. Unë e kam lajmëru rastin në polici, vajza është me aftësi të kufizuara e ka problemin që nuk dëgjon është me implant koklear ja kemi ngjitë në fund të dhjetorit e kemi pas në Turqi e kemi operu, me këtë dëgjon, gjithçka kam bërë me të holla të mija. Doktor Dukagjini më ka sugjeru me çu te logopedi nuk e kam prit që kanë me më dal telashe”, ka theksuar prindi i 4-vjeçares.