Qeveria e Kosovës konsideron se janë plotësuar tri këkresat e BE-së që dalin nga marrëveshja e Bratislavës midis zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi dhe emisarit të BE-së Miroslav Lajçak, për de-eskalimin e situatës në veri.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, për RTV21 tha se Qeveria ka përmbushur fillimisht dy hapat e parë duke tërhequr 50% të Policisë në dhe rreth komunave në veri të vendit.
Ndërsa, hapi i tretë është drejtë përmbushjes, pasi Qeveria ka themeluar grupin punues përgjegjës për hartimin e udhëzimin administrativ që mundëson zgjedhjet e parakohshme.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga zëvendëskryeministri i saj, Besnik Bislimi ka arritur një marrëveshje në Bratislavë me emisarin e BE-së, Miroslav Lajcak mbi hapat e zbatimit të deklaratës së 3 qershorit të BE-së për deeskalim të situatës në katër komunat në veri. Prej atij momenti, Republika e Kosovës ka përmbushur pikën e parë të atij dakordimi me rastin e uljes prej 25% të pranisë së pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në dhe përreth ndërtesave komunale. Si rezultat i zbatimit të pikës së dytë, e cila parasheh vlerësimin e përbashkët të situatës së sigurisë, javën e kaluar numri i policëve në dhe përreth ndërtesave komunale është ulur edhe për 25% tjera. Ndërkaq në kuadër të pikës së tretë të dakordimit të Bratislavës, ne tashmë kemi themeluar grupin punues përgjegjës për hartimin e udhëzimin administrativ që mundëson zgjedhjet e parakohshme’’ tha zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka parashtruar pyetje në drejtim të BE-së se çfarë po kërkon më shumë nga Kosova. Ndërsa, për Serbinë tha se nuk ka bërë asgjë për de-eskalimin e situatës në veri.