“Shkoni protestoni te Vuçiqi” – një qytetar shoqërohet në Polici, motra e tij pretendon se e ofendoi Halil Matoshi

E publikuar: 31/07/2023 14:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një qytetar është shoqëruar në Polici gjatë protestës së të hënës, në përkrahje të Klan Kosovës. Për Ekonomia Online, foli motra e tij, e cila tha se vëllai i saj u kishte thënë protestuesve “Shkoni protestoni te Vuçiqi”.

Ajo tha se ishte opinionisti i njohur në Kosovë, Halil Matoshi ai që e ofendoi vëllain e saj dhe se po të mos ishte ish-deputeti i LDK-së Bardhyl Meta përleshja do mund të eskalonte në fizike.

“Sa i përket të sharës, vëllai im tha shkoni protestoni te Vuçiqi. Halil Matoshi tha nënën dhe krejt robt, po më vije keq të shprehem, ta them atë fjalën e ndytë, dhe ky që e ka hundën të lidhur, ai ish deputeti i LDK-së e ndaloi Matoshin, sepse ai deshti të dalë e ta godasë. A vëllai im veç fjalë goje, vetëm tha te Vuçiqi”.

E njëjta e pa si të nxituar protestën dhe u shpreh se duhet pritur ta japi fjalën e fundit ligji e shteti, raporton EO.

“Unë po çuditem si po dalin të protestojnë këta pa e thënë ligji fjalën e fundit. Ligji duhet të flasë, shteti. Nëse është diçka keq atëherë dal edhe unë protestoj. Por pa e thënë ligji, prokuroria, shteti fjalën e fundit si dalin kështu?”.