Rozeta Hajdari
Rozeta Hajdari, ministre e Tregtisë, ka deklaruar se njëjtë si në rastin e Klan Kosovës do të veprojnë edhe ndaj atyre bizneseve që siç thotë ajo nuk janë të regjistruara konform Kushtetutës së Kosovës.
Qeveria që udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje ka marrë vendim për pezullimin e çertifikatës së biznesit të Klan Kosovës, veprim që po kundërshtohet nga gazetarë të vendit, por edhe nga ata ndërkombëtarë – si dhe QUINT ka dalë me qëndrim se janë brengosur për synimin e Qeverisë për ta mbyllur Klan Kosovën.
Në Kosovën e pasluftës nuk është mbyllur asnjë televizion, rasti aktual po cilësohet si cenim i lirisë së medias.
Por, Hajdari teksa arsyeton mbylljen e Klan Kosovës thotë si “në rastin” e Klan Kosovës kanë identifikuar edhe 48 biznese të tjera.
‘Si rezultat i riverifikimit të dosjeve, Komisioni ka konstatuar që, në 48 dosje të bizneseve të regjistruara në ARBK kemi emërtime kundërkushtetuese, ku në rubrikën vendi/shteti i lindjes apo vendbanimi aktual është shkruar: “Prishtinë – Kosovo Metohija, Serbia”, “Pejë – Republika e Serbisë”, “Gjilan – Serbia” “Gjakovë – Republika e Serbisë” etj”, ka shkrua Hajdari në Facebook, të dielën.
Për të hënën në Prishtinë do të ketë protestë të gazetarëve dhe shoqërisë civile para objektit të Qeverisë kundër mbylljes së Klan Kosovës.